Arbëri

Kosova s’ka regjistruar asnjë rast nga koronavirusi i ri, por cilat janë masat e parandalimit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë publike të Kosovës thotë se po përcjellë në mënyrë aktive situatën epidemiologjike me sëmundje ngjitëse në tërë territorin e Republikës së Kosovës, e në veçanti është duke monitoruar nga afër epideminë e sëmundjes respiratore të shkaktuar nga një koronavirus i ri i identifikuar për herë të parë në Wuhan, Provinca Hubei, Kinë.

IKSHPK thotë se duke u bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, informatat nga terreni, përgatitjet e institucioneve shëndetësore për t’u përballur me rastet eventuale të koronavirus, mungesa e linjave ajrore direkte me Kinën, rreziku për depërtimin eventual të virusit në Kosovë vazhdon të mbetet i ulët.

IKShPK/ Departamenti i Epidemiologjisë thotë se po bën mbikëqyrjen aktive dhe gjurmimin e rasteve.

“Instituti Kombëtar ka përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri. Është ngritur shkëmbimi i informatave ndërinstitucionale mes Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar, SHSKUK, AUV, QKMF-ve, Policisë së Kosovës, FSK, MASHT. Instituti Kombëtar ka rekomanduar të gjitha Institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Policinë e Kosovës, AUV dhe punëtorët shëndetësor që të ngrisin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë. Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (në kohë reale, sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe drejtëpërsëdrejti në IKShPK”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se të gjitha institucionet shëndetësore të vazhdojnë të zbatojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (2005), rekomandimet e OBSH dhe ECDC.

“ Janë ngritur ekipe në të gjitha QKMF- t e Kosovës në gjendje gatishmërie që për çdo rast të dyshimtë të udhëtarëve që hyjnë në Kosovë përmes kufijve tokësor do t’i vizitojnë menjëherë dhe rekomandojnë për hapat e mëtutjeshëm të procedurave mjekësore sipas Planit të Gatishmërisë se Institutit Kombëtar. Në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” është ekipi mjekësor, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e situatës në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse. Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit”, thuhet tutje.

Për të gjitha rastet e dyshimta në koronavirus Instituti Kombëtar ka sasi të nevojshme të kiteve për detektim të Novel Coronavirusit 2019 nga Instituti Pasteur në Paris, France, në kuadër të projektit rajonal MedilabSecure.

Në rast të paraqitjes së rastit të parë dhe fillimi i rritjes së numrit të rasteve Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka përpiluar tashmë Planin e kontingjencës dhe planin e Gadishmërisë dhe reagimit për 2019-nCoV është ndërtuar në bazën e pesë pjesëve të lidhura ngushtë mes veti me qëllim të vetëm – menaxhimin e drejtë të rasteve. Instituti Kombëtar do të informojë rregullisht Institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, Agjensionin e Emergjencave dhe OBSh-në për ecurinë epidemiologjike të Novel Coronavirus (2019- nCoV) në Republikën e Kosovës.

“Situata epidemiologjike me koronavirus në botë (sipas ECDC: 7 Shkurt 2020) Në nivel global janë raportuar gjithsej 31.503 raste të konfirmuara me 2019 nCoV me 638 raste. Në Kinë gjithsej 31.217 raste të konfirmuara me 637 vdekje. Jashtë Kinës janë raportuar 286 raste me një rast vdekje në Filipine. Në Europë janë raportuar 31 raste me koronavirus të konfirmuar në Gjermani, në Gjermani, Francë, Itali, Mbretëri të Bashkuar, Belgjikë, Rusi, Finlandë, Spanjë dhe Suedi”, thuhet tutje.

Masat e parandalimit

1. Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes.

2. Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.

3. Shmangia e prekjes së fytyrës dhe mbulimi i gojës dhe hundës me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave.

4. Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit.

5. Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.

6. Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.

7. Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore.

8. Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.

9. IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt Kinës, nëse nuk e kanë të domosdoshme. Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me koronavirus në Kosovë, rekomandimet mund të pësojne ndryshime dhe për to do të informoheni me kohë.

{gallery}