Arbëri

Sejdiu i VV-së: Ikja nga debati, shpërfaqje e frikës dhe e paditurisë

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, mbajti sot konferencë për media lidhur me tërheqjen e Ramush Haradinajt nga ballafaqimi televiziv me kryeministrin e ardhshëm, Albin Kurtin, thotë kumtesa partiake, transmeton Koha.net.

“Koalicioni i natës PDK-AAK-NISMA ka qenë në fakt rezultat i frikës nga humbja që do t’ua shkaktojë atyre Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kjo frikë po shpërfaqet çdo ditë e më shumë. Haradinaj u tërhoq nga debati i tre kandidatëve për kryeministër. Brenda dy ditësh, ndërroi mendje. Ai, i shtyrë nga Kadri Veseli, e shfrytëzoi si alibi një vendim të KPM-së, për t’i ikur debatit me z. Kurti. Vendimin e KPM-së po e “respektojnë” në nivel të kandidatëve për kryeministër, kurse për tema tjera po i çojnë përfaqësuesit e vetë ne debate. Si duket Kadri Veseli si zakonisht fshihet pas tjetërkujt. Menaxhon me situatën nga hija, ashtu siç ka bërë gjithmonë, duke siguruar nga prapaskena ambient për vazhdimin e kapjes së shtetit”, tha Sejdiu.

Vendimi i KPM-së iu drejtohet mediave, e jo subjekteve politike. Superioriteti i Vetëvendosjes në debate, si subjekti i vetëm që po shpalos program të qartë për të ecur përpara dhe për ta çkapur shtetin, ka bërë që PDK dhe Kadri Veseli të bëjnë presion nëpër televizione për t’ia ngushtuar hapësirën e shprehjes Lëvizjes.

“Tash po kërkojnë që të jenë tre përfaqësues të listës së PDK-së në debat, karshi një përfaqësuesi të Vetëvendosjes -s. Po duan që t’i rrisin numrat e tyre, në mënyrë që ta zvogëlojnë paditurinë e tyre. Pra, me numër njerëzish në debate ta zvogëlojnë hapësirën e shprehjes të Vetëvendosjes ”, u shpreh Sejdiu, duke theksuar se kamuflimi i debateve dhe ikja nga to, po bëhet për të mos u shpërfaqur padituria dhe mospërputhshmëria e këtij koalicioni.

Prandaj herë kamuflojnë debate e herë ikin nga to, ashtu që të mos shpërfaqet padituria e tyre, ka përfunduar ai.