Arbëri

Më 4 mars kthehet në rigjykim rasti i sulmit ndaj Kuvendit

Në orën 9:00 të mëngjesit të 4 marsit, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, sërish do të ulën në bankën e të akuzuarve.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar seancën e parë të rastit, ku të akuzuar janë aktivistë e ish-aktivistë të Vetëvendosjes, gati dy vjet pasi Gjykata e Apelit, rastin e ktheu në rigjykim.

Ftesat për seancë u kanë mbërritur tashmë avokatëve mbrojtës, raporton KTV. 

Avokati i Egzon Halitit, Emrush Kastrati, është i bindur se fundi i procesit do ta gjejë të lirë të mbrojturin e tij dhe tre të akuzuarit e tjerë.

Sipas Kastratit, ka pasur mungesë provash, që vërtetojnë përfshirjen e tyre dhe aktgjykimi i shkallës së parë ka qenë i ndërtuar mbi paragjykime.

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 17 nëntor të vitit 2017, me 8 vjet burgim e kishte dënuar Frashër Krasniqin, 6 vjet burgim Atdhe Arifin, 5 vjet e 5 muaj Egzon Halitin dhe me 2 vjet Adea Batushën.

Dënimin prej mbi dy dekadash burgim për ta, Gjykata e shqiptoi pasi i gjeti fajtorë për terrorizëm, lidhur me sulmin ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës në vitin 2016, para se shkalla e dytë, për një varg shkeljesh, rastin ta kthejë në rigjykim.

Duke u hetuar për këtë rast ishte edhe Astrit Dehari, derisa u gjet i vdekur në qelinë e tij sa ishte në paraburgim në Prizren.