Arbëri

Mustafa: Asgjë nuk do t’i amnistojë autorët e mashtrimit me marrëveshjen Telekom – Z- Mobile

Descriptive Text

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa ka reaguar në Facebook pas riaranzhimit të marrëveshjes Telekom, ish – PTK me Z- Mobile, sipas të cilës Z – Mobile heq dorë nga dëmshpërblimi i Telekomit në shumën prej 30 milionë euro.

në facebook ka thënë se “vendosmëria ime për të mos paguar me taksa të qytetarëve gjobën e shqiptuar nga Gjykata e Arbitrazhit për Telekomin e Kosovës, rezultoi me tërheqjen e paditësit, ndërsa ka shtuar se prapa kontestit gjyqësor në Gjykatën e Arbitrazhit ka qëndruar një skemë e organizuar për zhvatjen e pasurisë nacionale të Kosovës.

Ky është teksti i plotë i Mustafës në Facebook:

Asnjë riaranzhim nuk mund ta shmangë përgjegjësinë për dëmin që i është shkaktuar Telekomit.

Vendosmëria ime për të mos paguar me taksa të qytetarëve gjobën e shqiptuar nga Gjykata e Arbitrazhit për Telekomin e Kosovës, rezultoi me tërheqjen e paditësit, Z-Mobile.

Tërheqja e sotme nga kërkesa për shlyerjen e borxhit, është edhe një dëshmi shtesë se marrëveshja mes Telekomit, ish-PTK me Z-Mobile ka qenë e kundërligjshme dhe e dëmshme për Telekomin e Kosovës dhe për pasurinë nacionale të Kosovës.

Po ashtu, është dëshmi tjetër se edhe prapa kontestit gjyqësor në Gjykatën e Arbitrazhit ka qëndruar një skemë e organizuar për zhvatjen e pasurisë nacionale të Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksionare të Telekomit të Kosovës. Për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbrojtje të interesave të taksapaguesve kosovarë, punonjësve të Telekomit të Kosovës dhe pasurisë nacionale të Kosovës, ua bën të qartë nënshkruesve të kontratës, zbatuesve dhe mos-zbatuesve të saj si dhe strukturave që kanë qëndruar prapa këtij procesi zhvatës për vite të tëra, se asnjë aranzhim i ri nuk do të mund t’i shpëtojë nga përgjegjësia për dëmin që i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës dhe pasurisë nacionale të Kosovës me nënshkrimin, zbatimin dhe mos-zbatimin e kësaj kontrate të dëmshme.

Çfarëdo aranzhimi i ri për të mbuluar këtë skandal të madh, nuk do të mund të amnistojë autorët e kësaj skeme mashtrimi.

Po ashtu, qeveria aktuale dhe as qeveria e re e Republikës së Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, nuk do të tërhiqet nga kërkesa legjitime dhe insistimi që organet kompetente të rendit dhe ligjit ta trajtojnë marrëveshjen mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile.

Qeveria e Republikës së Kosovës është dhe do të jetë e vendosur që dëmin e shkaktuar përmes asaj marrëveshjeje ta paguajnë përgjegjësit për nënshkrimin, zbatimin dhe mos-zbatimin e saj., e jo qytetarët e Republikës së Kosovës, pasuria e të cilëve është dëmtuar me atë marrëveshje skandaloze.

Gjithashtu, qeveria aktuale dhe qeveria e re e Republikës së Kosovës, do të kërkojë shpjegime për aranzhimet në marrëveshjen e re mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile, për t’u siguruar që kjo marrëveshje nuk do ta dëmtojë Telekomin e Kosovës, punonjësit e saj dhe pasurinë e shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.