Arbëri

Haradinaj takon Palmerin, i thotë se taksën e vendosi “për t’u mbrojtur nga politika agresive” e Serbisë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po qëndron në SHBA në një vizitë zyrtare, ka takuar Zëvendës Asistentin e Sekretarit të Shtetit dhe Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Ambasadorin Mathew Palmer, nga Departamenti i Shtetit.

Në këtë takim, Haradinaj tha t’i ketë thënë Palmerit se Kosova ka treguar maturi në funksionim të demokracisë duke mbajtur zgjedhje të lira dhe me transfer demokratik të pushtetit.

“Ne kemi konsoliduar demokracinë dhe duhet të njëjtën ta realizojmë çdo ditë”, i ka thënë Haradinaj Palmerit.

Më tej, Haradinaj thotë se Ambasadorit Palmer i ka ritheksuar se duhet të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë që rezulton me njohje reciproke.

“Vendimet sovrane të Kosovës siç është tarifa 100% ndaj Serbisë është vendosur për t’u mbrojtur nga politika agresive e shtetit fqinj dhe ajo duhet të hiqet me njohjen e shtetësisë së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Kosova, sipas tij, “në perspektivën Euro-Atlantike është kandidatja e radhës që të anëtarësohet në NATO”.

“SHBA-ja qëndron e palëkundur në përkrahje të shtetësisë së Kosovës dhe ne jemi me fat që kemi këtë miqësi”, ka përfunduar Haradinaj postimin e tij në Facebook.