Arbëri

AFP: Pavarësisht presionit francez, kushtet për anëtarësim në BE s’do të ndryshojnë

Descriptive Text

Edhe përkundër presionit të madh nga Franca, BE-ja nuk planifikon të bëjë ndryshime rrënjësore në procedurën për vendet që dëshirojnë t’i bashkohen bllokut, ka thënë të martën një zëdhënës i BE-së.

Komisioni Evropian të mërkurën pritet të zbulojë propozimet për të modifikuar procesin e anëtarësimit, një projekt ky i propozuar pasi Franca bllokoi hapjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë Veriore dhe me Shqipërinë, duke zemëruar shumë në BE.

Por një zëdhënëse e BE-së ka thënë se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në sistem.

Franca zhgënjeu shumë vende në Ballkan duke udhëhequr një grup të vogël të shteteve anëtare për të kundërshtuar hapjen e negociatave, pavarësisht një vendimi nga komisioni se vendet ishin të gatshme.

“Nuk do të propozojmë ndryshimin e kushteve për t’u anëtarësuar në BE. Këto kushte janë shumë të qarta, janë të përcaktuara në traktate”, ka thënë zëdhënësja e BE-së Ana Pisonero para gazetarëve, raporton AFP.

Propozimet të mërkurën do të tentojnë ta bëjnë procesin “më të parashikueshëm” dhe “dinamik” pa i ndryshuar rregullat, tha më tej ajo, transmeton Koha.net.

Liderët e BE-së në qershor dështuan të japin dritën jeshile për bisedimet për anëtarësim, ku vetëm Franca refuzoi Maqedoninë Veriore por asaj iu bashkuan edhe Danimarka dhe Holanda për ta refuzuar Shqipërinë.

Tronditjen më të madhe e përjetoi Maqedonia Veriore, e cila i hyri një procesi të dhimbshëm të ndryshimit të emrit për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje me Greqinë me besimin se kjo gjë do t’i hapte negociatat me BE-në.

‘Arritjet’

Gjermania ka qenë shtyse e përpjekjeve për ta kthyer procesin e anëtarësimit në binarë.

Gjatë një vizite në Bruksel, ministri gjerman për Çështjet Evropiane, Michael Roth, tha se shpreson që vendet do të marrin të shumëpriturën dritë të gjelbër në mars për t’i nisur bisedimet për anëtarësim, bazuar në “arritjet e tyre”.

Në atë kohë pritet që Komisioni Evropian të publikojë një raport individual për secilin nga gjashtë vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor – Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë Veriore dhe Serbinë.

Këto raporte do të vlerësojnë gjendjen e reformave të nevojshme për t’i nisur bisedimet: respektimin e sundimit të ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtat themelore.

Roth tha se shtetet e BE-së veçse “kanë ndryshuar substancialisht” procedurën e pranimit.

Ndryshimet nënkuptojnë se bisedimet zyrtare duhet të nisin me “çështjet më të vështira, siç është sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe gjyqësori i pavarur”, tha Roth.

Roth po ashtu nënvizoi mundësinë e suspendimit të negociatave për anëtarësim përmes një vendimi unanim nga shtetet anëtare. Kjo, për shembull, është bërë në rastin e Turqisë.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, në janar e bëri të qartë se ekipet e saja nuk dëshirojnë të krijojnë pengesa të reja për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut “kushtet apo rregullat nuk duhet ndryshuar tani”, tha ajo.