Arbëri

Haxhiu: PAN-i ishte i gatshëm të pranonte diskrecionin e Thaçit pas dështimit të Kurtit e të formonin qeverinë

Albulena Haxhiu, ministrja e re e Drejtësisë, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se sot është hapur një kapitull i ri, me shumë sfida, por që tha se qeveria e re është e gatshme të ballafaqohet me to në mandatin e saj 4 vjeçar.

“Synojmë ta përfundojmë mandatin 4 vjeçar, por nuk dihet se ku do të përfundojë. Kur një qeveri është në shërbim të interesave të qytetarëve, as partitë politike opozitare s’e kanë në interes çuarjen e vendit në zgjedhje, sepse kjo s’i sjell të mira atyre”, tha Haxhiu.

Duke folur për marrëveshjen qeverisëse me LDK-në, Haxhiu tha se ka pasur përpjekje të madhe që nga 6 tetori për t’u arritur kjo.

“Ka pasur situata jo të këndshme, kanë qenë ditë të tëra ku jemi përkushtuar që ta bëjmë këtë koalicion. Ka pasur momente pozitive, mospajtime, sepse është e qartë që jemi parti të ndryshme politike. Sa i përket marrëveshjes së fundit, them se synimi ynë kryesor ka qenë koalicioni me LDK-në, e nëse ajo s’bëhet, do të shkonim me qeverinë e pakicës, e cila s’do të ishte stabile. Por, do të mund të bënim disa ndryshime të vogla e të shpejta, mes tyre Buxheti i Kosovës. Në këtë kuptim, kemi kuptuar se e kemi planin e dytë për qeveri të pakicës që të mos e lejojmë ardhjen e PAN-it në pushtet. Kemi pasur informacione që PAN-i do ta pranojë diskrecionin e Thaçit pas dështimit të Kurtit, e të qeverisin edhe një mandat”, deklaroi Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë tha se ka qenë kategorike kundër largimit të Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit, por thotë se ka ardhur me kërkesë të vetë Konjufcës.

“Unë kam qenë kategorike kundër që Konjufca të largohet nga ulësja e kryetarit të Kuvendit, por kjo ka qenë kërkesë e zotit Konjufca. Ai ka pasur një takim me kryeministrin Kurti dhe aty ia ka shpjeguar situatën ku ai nuk mund ta përballojë një situatë ku dështon qeveria e VV-së. Jemi detyruar ta pranojmë kërkesën e Konjufcës, meqë ka qenë edhe kërkesa e LDK-së, dhe i njëjti të kalojë automatikisht në postin e ministrit të Punëve të Jashtme”, tha Haxhiu.

Ajo sqaroi mënyrat e largimit nga posti i kryetarit të Kuvendit.

“E para me dorëheqje dhe e dyta me shkarkim. Dhe versioni i tretë kur ai bëhet anëtar i qeverisë. Kryetari i Kuvendit është deputet, sikurse të gjithë deputetët tjerë. Në momentin kur Kuvendi i voton si ministra, automatikisht u pushon mandati i deputetit”, theksoi Haxhiu, duke shtuar se janë kujdesur që sot “të mos bëjmë asnjë shkelje ligjore”.

Sipas saj, vendimi për të thirrur seancë në orët e vona për të zgjedhur kryeparlamentaren, ka ardhur nga frika e zvarritjes nga presidenti Hashim Thaçi i emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së, gjë që, sipas saj, Kuvendi rrezikonte të mbetej pa kryetar.

“Në momentin kur është zgjedhur qeveria, është vendosur që Kuvendi të mos mbetet pa kryetar. Deputetët që janë zgjedhur deputetë, nuk kanë të drejtë vote. Rreziku ka qenë që nëse presidenti Thaçi zvarrit emërimin e anëtarëve të KQZ-së, atëherë Kuvendi rrezikonte të mbetej pa kryetar. Prandaj Kryesia, zonja Nagavci, e ka thirrur mbledhjen e kryesisë, dhe u pajtuan që ta thirrin sot seancën e Kuvendit. Sipas informatave që i kam, ftesë kanë marrë të gjithë deputetët, edhe të opozitës. Ka qenë seancë e jashtëzakonshme, sepse zonja Nagavci e ka thirrur seancën sipas kërkesës së deputetëve. Megjithatë, sot kemi zgjedhur qeverinë dhe kryetaren e re të Kuvendit”, theksoi Haxhiu.

Duke folur për votimin që deputetët e Listës Serbe ia bënë Vjosa Osmanit për kryetare të Kuvendit, Haxhiu tha se s’ka pasur asnjë marrëveshje me ta.

“E para, LVV dhe LDK nuk ka koalicion me Listën Serbe, ata vetëm kanë përfaqësimin e tyre kushtetues në Qeveri. Ata s’e kanë votuar qeverinë, sepse s’janë në koalicion me ne. E kanë votuar kryetaren e Kuvendit, sepse ju ka shkuar ftesa për seancë, kanë ardhur dhe kanë votuar. S’ka qenë pjesë e marrëveshjes. Kam komunikuar me zonjën Osmani para seancës, e kam pyetur se si është plani, duke i pasur parasysh pengesat me emërimin e anëtarëve të rinj në KQZ, ajo e kishte shqetësimin e njëjtë. S’ka pasur asnjë marrëveshje me ta. Me siguri kanë kontaktuar me shefin e GP të LDK-së dhe u kanë thënë se do ta votojnë. Sa i përket Listës Serbe, dihet si janë ata pjesë e institucioneve të Kosovës. Me negociatat e Presidentit Thaçi, ka dalë një subjekt politik që menaxhohet nga Beogradi”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo tha se premtimi ka qenë që nuk bëjmë koalicion me Listën Serbe.