Arbëri

Revolucionari në fron

Foto: Alban Bujari / Koha

Albin Kurti sot është në fron. “Kaçurreli”, ikonë e demonstratave studentore të ’97 kundër mizorive që regjimi i Slobodan Milosheviqit i ushtronte ndaj shqiptarëve, në luftë u bë zë i Ushtrisë Çlirimtare që e luftonte këtë regjim, pas luftës shkoi fyt a fyt me komandantët çlirimtarë të veshur me pushtet, e së fundmi u bë simbol i shpresës për ndryshim në Kosovë.

Me 66 vota për të hënën Kuvendi e bëri atë kryeministër, rreth katër muaj pasi Lëvizja Vetëvendosje (LVV) të cilën e udhëheq, triumfoi në zgjedhjet e parakohshme nacionale, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kosovarët e kthyen shpresën tek socialdemokrati, pas zhgënjimit me gjithë klasën politike të provuar deri tash. Në fushatë, pak kritikoi, por shpalosi një program ambicioz që prek të gjitha fushat. Dha premtime të mëdha për qeverisje të mirë e rritje të mirëqenies, por edhe për luftë ndaj korrupsionit e krimit të organizuar.

Kurti është lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë, ku e ka vijuar shkollimin bazë dhe atë universitar.

Ai i takon gjeneratës që studimet i ka bërë jashtë objekteve universitare, nga të cilat regjimi i Milosheviqit i kishte larguar shqiptarët. Si aktivist studentor, ishte në ballë të shumë prej protestave të organizuara nga Unioni i Pavarur Studentor, në Kryesinë e të cilit ishte anëtar. Por, merr vëmendjen në ato të 1 tetorit të 1997-s, të cilat u shtypën dhunshëm. Merr vëmendje sa për pamjen, aq edhe për karizmin. Rebeli me dukje prej rokeri, nuk ishte caktuar rastësisht nga Unioni që të mbante komunikimin me ndërkombëtarët – artikulonte kapshëm kërkesat e rinisë dhe i deklaronte rrjedhshëm në anglisht.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)