Arbëri

IKSHP thotë se në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast i koronavirusit

Descriptive Text

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se deri më tani asnjë rast i koronavirusit nuk është shënuar në Kosovë.

Përmes një komunikate për media ky institut ka bërë të ditur se është duke monitoruar nga afër epideminë e sëmundjes respiratore të shkaktuar nga një koronavirus i ri i identifikuar për herë të parë në Wuhan, Provinca Hubei, Kinë.

Ata thonë se Departamenti i Epidemiologjisë po bënë mbikëqyrjen e rasteve gjatë tërë vitit dhe përcjellë situatën epidemiologjike.

“Instituti Kombëtar ka rekomanduar te të gjithë Drejtorët Rajonal të Shëndetësisë Publike dhe punëtorët shëndetësor që të ngritin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë. Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (e dëshirueshme sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe IKShPK”, thuhet në njoftim.

Ata thonë se në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” është ekipi mjekësor, me të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e situatës në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse.

“Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit”, thuhet në njoftim.

Ata tutje kanë paraqitur masat e parandalimit të këtij virusi.

-Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes.

-Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.

-Shmangia e prekjes së fytyrës dhe mbulimi i gojës dhe hundës me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes.

-Hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave.

-Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit.

- Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.

-Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.

-Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore.