Arbëri

Dialogu Kosovë-Serbi nën llupën e SHBA-së dhe BE-së

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar deri më tash nga Bashkimi Evropian, ka ngecur aq shumë, sa që është vështirë e mundshme që nga vetë Bashkimi Evropian, ky dialog të ringjallet dhe të fitojë dinamikë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Sipas tyre, tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë veprime që paralajmërojnë përfshirjen e saj të mundshme për rinisjen e dialogut dhe ndërmjetësimin për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do ta zgjidhte kontestin Kosovë-Serbi.

Më 23 janar, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ambasadori Richard Grenell, ka vizituar Kosovën dhe ka porositur lidershipin politik dhe institucional të Kosovës që ta heqë taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, ndërkaq që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjes së shtetit të Kosovës.

Brenda pak kohësh, ambasadori Grenell ka arritur të ndërmjetësojë në nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, si dhe ka arritur pajtimin në parim të palëve për rivendosjen e linjës hekurudhore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Më 30 janar, Kosovën e ka vizituar, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili ka thënë se Bashkimi Evropian nuk është në garë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me lehtësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, Borrell, më 31 janar, në Beograd, ka thënë që “Bashkimi Evropian duhet të emërojë një përfaqësues të posaçëm, i cili do të jetë shumë i angazhuar”, për shkak se ai vetë nuk është i sigurt se do të ketë “kohë të mjaftueshme për t’u angazhuar dhe për ta shtyrë dialogun përpara”.

Zbehja e rolit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se zbehja e rolit të Bashkimit Evropian si një lehtësues i dialogut Kosovë – Serbi, ka ndodhur për shkak të gabimeve të mëdha dhe noshalancës me vite, për të ndërmjetësuar në realizimin e marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel.

Gjithashtu, siç thonë ata, mospërputhjet e mëdha që ekzistojnë brenda vendeve të Bashkimit Evropian për mënyrën e përfundimit të dialogut Kosovë-Serbi, e kanë bllokuar vetë atë që të ketë besimin e palëve për arritjen e një zgjidhjeje konkrete të pranueshme për palët.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Borrell tashmë gjendet para situatës që t’i kompensojë lëshimet e paraardhëses së tij, Federica Mogherini. Por, sipas tij, ekzistojnë sinjale, se për një gjë të tillë nuk ka, as vullnet, e as ndonjë plan konkret.

“Duke pasur parasysh edhe një problem tjetër, që ai vjen nga Spanja dhe në një mënyrë jo të drejtpërdrejtë do ta ketë një lloj presioni nga qeveria e tij. Prandaj, nuk mund të pritet shumë nga Borrelli. Mund të ketë vetëm deklarata shterpe dhe burokratike për domosdonë e vazhdimit të dialogut, mirëpo është krejtësisht e pabesueshme që ai të vijë me ndonjë motivim, me ndonjë plan konkret, i cili do të mund të lëvizte nga ngecja dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Muhaxhiri.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se jo vetëm praktikat e Bashkimit Evropian në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, por edhe politikat e saj integruese, të cilat kanë vënë në pikëpyetje sinqeritetin e saj rreth zgjerimit në drejtim të Ballkanit Perëndimor, kanë shkaktuar humbje besimi në efikasitetin e saj.

“Faktikisht (BE-ja) e ka humbur besimin e popujve të Ballkanit në integrimet euroatlantike. Koha nuk pret derisa BE-ja të ndërtojë një strategji të re franko-gjermane për Ballkanin në Evropë ose derisa të bëjë një hapje të re të integrimeve. Mbi këtë bazë, unë konsideroj që është plotësisht e drejtë që të mos pritet, por të ndërmjetësohet. Kredibilitetin e ndërmjetësimit e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është mirë që po bisedojnë”, vlerëson Tahiri.

Të plotë mund ta lexoni në REL