Arbëri

AKP-ja publikon studimin për zvillimin biznesor të Minierës së Goleshit

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka publikuar sot studimin Zhvillimi Biznesor i Minierës së Goleshit.

Punimet studimore të projektit janë realizuar nga ekspert të kompanive “Inros Lackner” dhe “EC Terra”, kurse kanë filluar në tetor 2018 dhe kanë përfunduar në dhjetor 2019.

Sipas komunikatës, Agjencia ka kërkuar studim për konfirmim të opinionit nëse kjo ish- ndërmarrje shoqërore ka potencial zhvillimor me mundësi të krijimit të vendeve të punës dhe të hyrave, studim ky - nga ekspertë me përvojë dhe kredibilitet ndërkombëtar, i cili do të shqyrtoj mundësitë për një projekt profitabil, social, dhe mjedisor. Sipas AKP-së, në nëntor 2019, Agjencia ka prezantuar MIM Goleshin në Konferencën “Mines & Money” në Londër, dhe me këtë rast interesi i investitorëve për Golesh ka qenë i konsiderueshëm.

“Agjencia ofron këtë studim për Institucionet e Republikës së Kosovës dhe investitorët e interesuar që kanë kapacitet për implementim të projektit në përputhshmëri me raportin e publikuar, për ta shfrytëzuar atë si pikënisje për inicim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm”, thuhet në komunikatë.

Ky projekt, është mbështetur nga Qeveria gjermane, Ambasada Gjermane si dhe organizata GIZ, ndërkohë që studimi i plotë është plasuar në uebfaqen e AKP-së.