Arbëri

Liberalizimi i vizave, me pengesa në Kosovë dhe në BE

Descriptive Text

Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen ose siç njihet si liberalizmi i vizave, në diskursin e politikës brenda dhe jashtë vendit, ka nisur që nga viti 2010, por sinjalet që aktualisht dërgohen, qoftë nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga vetë institucionet e Kosovës flasin për skepticizëm që kjo të realizohet së shpejti, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në Kosovë dhe të integrimeve evropiane.

Sipas tyre, qoftë në Kosovë, qoftë edhe brenda vetë trupave të Bashkimit Evropian, ekzistojnë mendime të ndryshme nëse Kosova i ka përmbushur kriteret për të marrë liberalizimin e vizave.

Përderisa Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën, Këshilli i Ministrave i BE-së ende nuk e ka bërë këtë, për shkak se disa nga vendet anëtare të BE-së konsiderojnë se Kosova nuk e ka përmbushur kriterin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë, se vendet e caktuara të Bashkimit Evropian e kanë një bazë të argumenteve për të bllokuar liberalizimin e vizave për Kosovës.

Sipas tij, që në vitin 2016, Kosovës i janë kërkuar hapa konkret në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë, por, as pas katër vjetësh, siç thotë ai, Kosova nuk ka shënuar ndonjë rast konkret të till

Po ashtu, sipas tij, një faktor pengues për përparimin e Kosovës, ndonëse nuk është i lidhur drejtpërdrejtë si kriter për liberalizimin e vizave është ngrirja e dialogut me Serbinë.

“Nëse Kosova shënon progres në këto dy fusha, pra, fillon dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe kemi raste konkrete në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë, padyshim që atëherë krijohet një ambient, ku BE-ja, në veçanti shtetet skeptike, do ta kenë shumë më vështirë që të bllokojnë liberalizimin e vizave”, thotë Shasha.

Artan Murati, profesor i të Drejtës së Bashkimit Evropian, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që kërkesës së disa prej shteteve të Bashkimit Evropian që Kosova ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelin e lartë, kjo e fundit nuk i është përgjigjur.

Për më shumë, ai thotë që raportimet e fundit të Transparency International, tregojnë që Kosova ka degraduar në luftën kundër korrupsionit.

Ndërkohë, sipas tij, edhe specifikat brenda disa vendeve anëtare të BE-së, aktualisht nuk janë në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Kanë telashe në politikën e brendshme, do të thotë, me politikën e brendshme, sepse numri ose vala e madhe e migrantëve, të cilët kanë shkuar në këto shtete, sidomos në Francë, Gjermani dhe Holandë, ka ndikuar që për disa politikanë brenda këtyre shteteve, të ketë kosto politike, për faktin se i kanë përkrahur këto lëvizje. Normalisht që janë të frikësuar që nëse shtetet e tyre, nën udhëheqjen e tyre, do t’i hiqnin vizat për një vend, i cili ka qenë problematik për sa i përket migrimit ilegal më herët, mund të ndikojë edhe më tepër në rënien politike të tyre”, vlerëson Murati.

Edhe Demush Shasha shpreh mendimin se çështjen e liberalizimit të vizave të Kosovës nuk duhet parë si të shkëputur nga ajo që po ndodh brenda vendeve të Bashkimit Evropian dhe agjendës së zgjerimit të saj për Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, rasti i mosliberalizimit të deritashëm të vizave për Kosovë dhe mos-hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE, kanë ngjashmëri që ndërlidhen me politikat që kjo e fundit i ka ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Në të dy rastet, prapë është Këshilli i BE-së, i cili e ka ndaluar përparimin, në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe në rastin e Kosovës. Prandaj, është e saktë që brenda BE-së mbretëron momentalisht një skepticizëm për agjendën e zgjerimit. Por, një diskutim e kemi parë të mbahet edhe për vetë të ardhmen e Evropës, gjatë viti 2020. Në këtë drejtim, ka pjesë të përgjegjësisë edhe pjesa e vullnetit politik brenda shteteve anëtare të BE-së, por ajo është jashtë kontrollit tonë”, thekson Shasha.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.