Arbëri

Lumi Lepenc vërshon tokat bujqësore, shkaku i punimeve në hidrocentral

Ndërtimi i hidrocentralit në Biti të Poshtme të Shtërpcës ka nisur të shkaktojë problemet e para për banorët këtu.

Shkaku i tij dhe i vendosjes së gypave në lumin Lepenc, si dhe pas reshjeve të shiut, ai ka dalë nga shtrati i tij duke vërshuar shumë parcela bujqësore.

Pos kësaj, janë shkatërruar edhe drunj përreth, raporton KTV.

Pos degradimit të natyrës, punimet në këtë hidrocentral i kanë lënë këta banorë edhe pa ujë të pijshëm.

Puset nga të cilët janë furnizuar me ujë kanë mbetur të pashfrytëzuar, si shkak i ndotjes.

Pas vërshimeve të fundit, banorët e fshatit Biti e Poshtme kanë protestuar duke thënë që autoritetet komunale asnjëherë nuk janë interesuar për ta.

Në Komunën e Shtërpcës i kanë mohuar këto akuza, duke shtuar që nuk janë në dijeni që lumi ka dalë nga shtrati i tij.

Përndryshe, që nga viti 2015 në këtë lumë ka filluar ndërtimi i hidrocentralit, i cili vazhdimisht është kundërshtuar nga banorët e këtij fshati.