Arbëri

21 vjet nga Deklarata historike e Grupit të Kontaktit në Londër

Masakra e Reçakut përfundimisht e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në bisedime të drejtpërdrejta shqiptaro-serbe, siç ishte propozuar për disa vite me radhë.

Pas kësaj masakre u rrit aktiviteti diplomatik në relacionin Uashington-NATO-Bruksel-Grup i Kontaktit, ku dhe të gjithë kishin arritur pajtimin se ideja për organizimin e një konference duhej të kishte prioritet ndaj politikës së ultimatumeve.

Më 29 janar 1999 Grupi i Kontaktit, i takuar në Londër në Pallatin Lancaster House, në afërsi të Pallatit Mbretëror St.James, doli me deklaratën historike për mbajtjen e Konferencës në Rambuje, dhe miratoi parimet e panegociueshme, mbi të cilat duhej të ndërtohej Marrëveshja Kalimtare për Kosovën.

Më 30 janar Këshilli i NATO-s e ripërtëriu vendimin e marr në tetorin e vitit të kaluar, duke vendosur kështu kornizë diplomatike për Konferencën.

Fryma e deklaratës së Grupit të Kontaktit nuk la vend dyshimi në vendosmërinë për të gjetur një zgjidhje e për të negociuar para pranverës. Është gati ultimatum, do të shprehej në librin e tij Paskal Milo.

Në Beograd natyrshëm deklarata e Grupit të Kontaktit nuk është pritur mirë. Shqipëria zyrtare nëpërmjet ambasadorit të saj në Francë, Luan Rama kishte kërkuar nga këshilltari i posaçëm i Vedrinit, i ngarkuari për Kosovën, që Shqipërisë t’i jepej statusi i vëzhguesit, gjë që nuk u pranua.

Si arsyetim, këshilltari Fushe do të deklarojë se nuk do të ketë vëzhgues të tjerë nga Ballkani, dhe se në Rambuje nuk do të ketë konferencë ndërkombëtare si ajo e Parisit për Bosnjën.

Vendosmëria për ndërhyrje ushtarake Grupi i Kontaktit i përkrahur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, bashkë me NATO-n tanimë ishin pjesë e lojës. Qeveria amerikane në veçanti kishte filluar të bënte trysni për aksion të mundshëm ushtarak për ta ndalur represionin në Kosovë.

Kërcënimi i përdorimit të forcës në raport me Kosovën nga SHBA-ja ishte bërë që nga viti 1992.

“Në rast të konfliktit në Kosovë, i cili do të shkaktohej nga veprimi i Serbisë, SHBA-ja do të ishte e gatshme të përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”, i kishte shkruar kryetari i atëhershëm, George Bush, Sllobodan Millosheviqit, kërcënim ky që u përsërit nga administrata e Bill Clinton.

Kurse Javier Solana, sekretari i përgjithshëm i NATO-s kishte deklaruar se Aleanca, në përpjekjet e veta për ta përkrahur bashkësinë ndërkombëtare që të arrihej një marrëveshje e negociuar, kishte “....rishikuar planifikimin ushtarak për një vistër mundësish që të ndalej dhuna dhe të krijoheshin kushtet për negociata. Këto e përfshijnë edhe përdorimin e forcave tokësore e ajrore, e posaçërisht një vistër të gjerë opsionesh për përdorimin vetëm të forcës ajrore. Këto sigurojnë që NATO-ja të mund të vepronte me shpejtësi dhe në formë efikase po të shfaqej nevoja”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, kishte miratuar edhe rezolutat 1160 (1998), sipas së cilës Beogradi duhej të ndërpriste të gjitha veprimet luftarake, si dhe 1199 (1998), që ishin të bazuar në kapitullin e VII të Kartës së OKB-së. Një rezolutë e cila merret duke u mbështetur në Kapitullin e VII të Kartës së OKB-së, çmohet si hap i parë drejt masave më të ashpra të ndërmarra nga KS, të cilat mund të shkojnë deri tek intervenimi ushtarak.

Në bazë të kapitullit VII të Kartës së OKB-së, keqësimi i gjendjes në Kosovë u cilësua si “rrezik për paqe dhe siguri në rajon”. Edhe ministri i Jashtëm rus Ivanov, votoi pro Rezolutës 1199, çka nënkupton një tërheqje nga pozicioni i saj i fortë në mbështetje të Beogradit.

Para opinionit publik, si justifikim rusët do të theksojnë se kjo rezolutë do të shërbejë si impuls për dialog të drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Kosovës.