Arbëri

Reduktimet e ujit do të nisin në shkurt, për shkak të rënies së nivelit të liqeneve

Rreth 11 metra ka rënë niveli i ujit në Liqenin e Batllavës, shkaku i mungesës së reshjeve të shiut e borës.

Një gjendje e tillë e rëndë ishte edhe në vitin 2013, e banorët në këtë pjesë janë të shqetësuar me situatën, raporton KTV.

Megjithëkëtë, ata po kërkojnë të shfrytëzohet rënia e nivelit të ujit për thellimin e këtij liqeni, por edhe pastrimin nga mbeturinat, në mënyrë që kur të ketë reshje të shiut, të akumulohet ujë më shumë.

Por, një gjë të tillë po e konsideron të pamundur drejtori i Kompanisë së Ujësjellësit “Prishtina”, i cili thotë se thellimi i liqenit nuk do të siguronte ujë më shumë.

Nëse niveli i ujit vazhdon të bjerë, atëherë Ilir Avdullahu – Drejtori i KUR “Prishtina”, thotë se janë të pashmangshme reduktimet për qytetet, të cilat i furnizon me ujë të pijshëm Ujësjellësi Rajonal i Prishtinës.

Sipas tij, tashmë është duke u përgatitur plani dhe nga muaji shkurt do të nisë së zbatuari.

Avdullahu shton se reduktime do të kishte edhe tash, po të mos ishte Liqeni i Ujmanit, nga i cili, aktualisht po furnizohen më shumë me ujë.

Mungesa e reshjeve të borës në muajt e fundit, por edhe shiut paraprakisht, e ka përkeqësuar në përgjithësi gjendjen me ujë të pijes në të gjithë Kosovën.