Bulliqi reagon për listën e LDK-së

Bulliqi reagon për listën e LDK-së

23 maj 2017 16:55

Ish-deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pas publikimit të listës së LDK-së me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

Bulliqi, që nuk është përfshirë në listën e LDK-së, thotë se kjo u bë pasi të tjerët u frikësuan pasi panë që ai dhe disa kundërshtues tjerë në LDK nisën të gëzonin më shumë respekt brenda elektoratit të LDK-së.

Ish-deputeti që kundërshtoi demarkacionin me Malin e Zi thotë se largimi i tij dhe i disa ish-deputetëve të tjerë nga lista zgjedhore ishte veprim i ulët.

Bulliqi ka thënë po ashtu se ka pasur oferta edhe nga subjektet opozitare, por thotë t’i ketë refuzuar sepse “nuk dëshiron rifitimin me çdo kusht edhe të një mandati”.

Ky është reagimi i tij i plotë i postuar në Facebook:

Unë sot po e shoh listën e LDK-së dhe partnerëve të koalicionit. Unë e kam njoftuar opinionin publik se nuk do të jem në listën e LDK-së për faktin se kryetari i degës së LDK-së të cilës i përkas në bashkëveprim me kryesinë e LDK-së u përkujdesen të me largojnë nga lista.

Fatkeqësisht ata nuk u ndalën vetëm me mua, por larguan edhe kolegë tjerë shumë të respektuar nga elektorati i LDK-së.

Motivi i këtyre largimeve është i ulët, ata që na larguan mua dhe kolegët kryesisht e bën si duket nga frika dhe respekti që ne gëzonim përditë e me tepër te elektorati i LDK-se e i cili respekt u forcua për shkak të qëndrimeve tona rreth disa çështjeve që ishin aktuale gjatë mandatit që lamë pas.

Largimi është bëre selektiv, pasi që nuk ishim pak kolegë që i kundërshtuam disa çështje jetike për vendin dhe integritetin e tij. Me vjen shumë keq për të gjithë anëtarësinë e LDK-së që janë zhgënjyer më këtë politikë fyese e linquese ndaj atyre që përkrahën vendimet e tyre lidhur me mos votimin e Thaçit për president vendi dhe cenimin e integritetit të shtetit tonë-demarkacionin. Njerëzit e këtij vendi kanë dhënë shumë me tepër se ne-jetën, ndërsa ne e sakrifikuam një karrige deputeti që mund të jetë gjeja me e vogël.

Dua të ju bëj me dije që gjatë kësaj faze kam pasur oferta nga disa subjektet opozitare për t’u futur në listat e tyre, mirëpo që me gjithë respektin që kam për to i kam refuzuar sepse qëndrimet politike që i kam mbajtur gjatë mandatit i kam bëre sepse kam besuar në to e jo për të rifituar edhe një mandat. Më herët jam shprehur se jam i gatshëm të paguaj çmimin për kauzat në të cilat kam qenë i angazhuar.

Për përbërjen e listës nuk kam çka të shtoj, pos që i bëj apel elektoratit të LDK-së por edhe subjekeve tjera që t’i votojnë vetëm ata që e meritojnë, ti mbrojnë me dinjitet kërkesat e tyre e të mos u japin votat njerëzve servil të cilët edhe njëherë treguan se mbi të gjitha e kane interesin e tyre personal.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme