Arbëri

KOMF për rishikim të legjislacionit që adreson dhunën ndaj fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF në partneritet dhe mbështetur nga projekti “Të ndalojmë dhunën ndaj fëmijëve” i përkrahur nga BE dhe UNICEF, ka zhvilluar takimin e parë konsultues për të sjellë qëndrimet e aktorëve kyç të shoqërisë civile dhe aktorëve relevantë të institucioneve publike lidhur me rishikimin e legjislacionit që adreson dhunën ndaj fëmijëve, njofton kumtesa, transmeton Koha.net.

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e KOMF, tha se përmes kësaj tryeze synohet zhvillimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna. “Kjo tryezë do të mundësojë sjelljen e diskutimeve mes akterëve kryesorë të fushës dhe do të ofrojë një mundësi për t’i dhënë pikëpamjeve të shoqërisë civile, institucioneve publike dhe grupeve të interesit, duke thelluar rekomandimet në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna”, tha ajo.

Ardian Bajraktari nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Drejtësisë, u zotua se “Ministria e Drejtësisë është e gatshme të pranojë rekomandimet që dalin nga kjo tryezë dhe t’i marrë për bazë gjatë procesit të plotësim ndryshimit të legjislacionit”.

Ndërsa, Ardian Klaiqi nga UNICEF shprehu gadishmërinë për të mbështetur këtë proces duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm harmonizimin e legjislacionit vendor më Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Në këtë tryezë të ishin të pranishëm përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues nga zyrat ligjore të institucioneve relevante, përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Policia e Kosovës, prokurorë, UNICEF etj.

Procesi i konsultimeve do vazhdojë me takime të tjera në komuna, takime me fëmijë, shoqëri civile. Rekomandimet e dala nga konsultimet do të adresohen tek institucionet përgjegjëse për plotësim/ndryshimin e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale, Ligjin e Familjes dhe Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.

Këto diskutime do të mundësojnë dhe do ti japin zë pikëpamjeve të shoqërisë civile, institucioneve publike dhe grupeve të interesit, duke thelluar rekomandimet në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna.