Arbëri

Hoxhaj dënon sulmin tragjik në Manchester, vendosen numrat emergjentë për shtetasit e Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka dënuar fuqishëm sulmin e mbrëmshëm tragjik në Mançester të Mbretërisë së Bashkuar, i cili mori jetën e dhjetëra personave dhe la të plagosur po aq të tjerë.

“I tronditur nga sulmi në Mançester. Bashkëndjej me familjet që humbën më të dashurit e tyre. Shërim sa më të shpejt të plagosurve. Kosova qëndron pranë Britanisë në këto momente të rënda”, ka thënë Hoxhaj.

Derisa autoritetet e këtij vendi po vazhdojnë me identifikimin e viktimave dhe nisur nga situata e krijuar, MPJ e Kosovës, respektivisht Ambasada në Londër ka vënë në dispozicion numrin emergjent +447961064763, për t’i ardhur në ndihmë të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë aty apo që mund të jenë prekur nga kjo ngjarje e rëndë.

Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet Ambasadës së saj në Mbretërinë e Bashkuar thotë se do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet zyrtare të shtetit dhe do të përcjellë me vëmendje të veçantë situatën e krijuar në mënyrë që të sigurojë informatat më të reja në lidhje me këtë ngjarje dhe nëse janë prekur shtetasit e Kosovës.