Arbëri

Pneumonia e shfaqur në Kinë me shkaktar të panjohur

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka publikuar të dhëna për paraqitjen e një version të pneumonisë të paraqitur në Kinë.

Sipas postimit, në dhjetor të vitit 2019, Zyra e OBSH në Kinë, u informua për raste të pneuomonisë, të etiologjisë së panjohur (shkaku i panjohur) të zbuluara në qytetin Wuhan, provinca Hubei në Kinë.

“Që nga 3 janari i 2020, gjithsej 44 pacientë me pneumoni të etiologjisë së panjohur janë raportuar në OBSH, nga autoritetet kombëtare në Kinë. Nga 44 raste të raportuara, 11 janë të sëmurë rëndë, ndërsa 33 pacientë janë në gjendje stabile. Sipas njoftimeve të mediave, tregu në fjalë në Wuhan, ishte mbyllur më 1 janar 2020 për sanime mjedisore dhe dezinfektim”, thuhet në postimin e IKShP-së. Sipas këtij Instituti, agjenti shkakor ende nuk është identifikuar ose konfirmuar.

Më 1 Janar 2020, OBSH-ja ka kërkuar informacione të mëtejshme nga autoritetet kombëtare për të vlerësuar rrezikun.

“Autoritetet kombëtare raportuar se të gjithë pacientët janë të izoluar dhe po marrin trajtim në institucionet mjekësore në Wuhan. Shenjat dhe simptomat klinike janë kryesisht temperatura, me disa pacientë që kanë vështirësi në frymëmarrje, dhe radiografitë e krahërorit që tregojnë lezione invazive të të dy mushkërive. Sipas autoriteteve, disa pacientë ishin tregtarë apo shitës në tregun e Ushqimit të Detit në Huanan”, thuhet në postimin e IKSHP-së.

Bazuar në informacionin paraprak nga ekipi kinez i hulumtimit, nuk është raportuar asnjë dëshmi e transmetimit nga njeriu tek njeriu, dhe asnjë infeksion i punëtorëve të kujdesit shëndetësor.

Pavarësisht kësaj gjendje, OBSH-ja nuk rekomandon masa specifike për ata të cilët udhëtojnë në Kinë.

“Në rast të simptomave që sugjerojnë sëmundje të frymëmarrjes gjatë ose pas udhëtimit, udhëtarët inkurajohen të kërkojnë kujdes mjekësor dhe të ndajnë historinë e udhëtimit me ofruesit e kujdesit shëndetësor”, thuhet në postimin e IKShP-së.