Arbëri

Veseli: Për demarkacionin të bisedojmë me palën malazeze

Kërkohet nisje nga fillimi me palën zyrtare malazeze për çështjen e demarkimit të kufirit Kosovë-Mal i Zi, duke zhvilluar bisedime me ta menjëherë pas 11 qershorit, për ta intensifikuar këtë proces brenda tre muajve të parë.

Kështu tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli, sot pasdite gjatë një takimi që pati me përfaqësuesit e bizneseve në fabrikën e mobileve “Bini” në Vushtrri, ku ka thënë se bashkimi i koalicionit do të jetë mjaft i suksesshëm, kurse, liberalizimi i vizave do të ndodhë shumë shpejt.

“Është e vërtet se ne kemi pasur mos pajtueshmëri në konceptin e tejkalimit të kësaj situate për çështjen e demarkimit, por ajo çka është kryesore ne do të punojmë intensivisht menjëherë pas 11 qershorit me palën malazeze. Të ulemi bashkërisht, sepse nuk humbim shumë kohë nëse ulemi edhe një herë e bisedojmë saktë se cilat janë pretendimet e palës malazeze dhe të tonat, në mënyrë që ta kemi vijën kufitare. Unë jam shumë i sigurt se brenda tre muajve do të intensifikojmë përpjekjet tona”, theksoi Veseli, raporton KP.

Ai shtoi se ka hequr dorë nga karrigia e kryeministrit, por jo edhe nga platforma ekonomike dhe e zhvillimit.

Kreu i PDK-së duke folur për zhvillimet ekonomike, tha se rritja ekonomike duhet të jetë minimum 8 për qind, për të ardhur në krahasim me vendet e zhvilluara. Sipas Veselit pas 11 qershorit me fitoren madhështore të PDK-së do të implementohet platforma “Fillimi i Ri”.

Veseli ka thënë se papunësia është shqetësuese dhe integrimi në strukturat euro atlantike është i domosdoshëm. Ai tha se “Fillimi i Ri” është i synuar kryesisht për ekonomi.

Lekë Musa, këshilltar ekonomik i kryetarit Veselit, tha se qeveria e ardhshme do të përkrah bizneset në të bërit biznes gjatë rrugëtimit të tyre.

Ai veçoi se për qasje në kapital qeveria e re do të mundësojë krijimin e fondit dhe mundësi financimi për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, sepse këto janë çelësi i krijimit të vendeve të reja të punës. Siç tha Musa, kapitali njerëzor është pasuria më e madhe që ka Kosova, dhe për këtë është menduar aftësimin e këtyre punëtorëve që i duhen mjaft sektorit të biznesit.

Ai tha se duhet të punohet për eliminimin e burokracisë në administrate, dhe po ashtu për një reformë në gjykatën ekonomike për trajtimin e lëndëve të bizneseve.

“Roli ynë si qeveri e ardhshme duhet të jetë që të stimulojmë zhvillimin ekonomik, që të tërhiqemi dhe t’i lirojmë të gjitha burokracitë, barrikadat të cilat janë krijuar dhe t’ia lëmë në dorë vetë sektorit privat që të gjejë alternativat, burimet dhe të ec përpara. Dallimi në mes neve dhe të tjerëve është se ne besojmë në lirinë ekonomike, ne besojmë në vendimmarrjen tek ndërmarrësit. Ju jeni ata të cilët duhet të vendosni për resurset e juaja se ku duhet të investoni dhe ku duhet që ti plasoni produktet e juaja”, theksoi Musa.

Ish-deputeti i PDK, Besim Beqaj tha se “Fillimi i Ri” ka për synim që të krijohet platforma për rritje ekonomike. Beqaj se do të ketë edhe reforma fiskale me ardhjen e qeverisë së re dhe fokusi i “Fillimit të Ri” është përkrahja e prodhimtarisë vendore. Ai tha se sektori i bujqësisë ka nevojë për infrastrukturë për ujitje dhe mbrojte nga fatkeqësia natyrore. Po ashtu si me rëndësi është për të edhe nxitja e zhvillimit në edukim të të rinjve.

“Prioriteti numër një i ‘Fillimit të ri’ është që ne të krijojmë platformë për me u rritë ekonomia e Kosovës. Qeveria e ardhshme ta krijojë platformën institucionale legjislative të politikave fiskale, e cila do të mundëson që ekonomia të rritet vet. Ku fokusohet “Fillimi i ri”, i ka dy shtylla themelore, njëra është reforma institucionale të politikave ekonomike, të politikave fiskale dhe pjesa tjetër është angazhimet që institucionet kanë me i marrë për nxitje të zhvillimit ekonomik”, pohoi Beqaj.

Të rinjtë nga Vushtrria kërkuan nga Veseli projekte për punësim, liberalizim të vizave si dhe projekte për objekte dhe fusha sportive.