Arbëri

Rama emëron pesë zv/ministra të “fortë” në ministritë e PD-së

Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot gjatë mbledhjes së Qeverisë ndryshime në disa poste zv/ministrore, konkretisht në ministritë që iu lanë PD-së, pas marrëveshjes së javës së kaluar, transmeton Shqiptarja.

Lëvizjet vijnë katër ditë pas paktit Rama-Basha që solli lëvizje në kabinetin qeveritar dhe emërimin e 6 ministrave teknikë dhe një zv/kryeministri, të propozuar nga radhët e opozitës.

Emrat e rinj në postet zv/ministrore janë figura të njohura në radhët e Partisë Socialiste, të cilët kanë mbajtur edhe funksione të tjera të rëndësishme në administratën publike ku kanë spikatur për aftësitë e tyre drejtuese dhe profesionale.

Ndryshimet e zv/ministrave

Zv/ministër i Shëndetësisë - Emërohet Mira Kapisyzi

Zv/ministër i Financave - Largohet Ervin Mete, emërohet Irena Beqiraj

Zv/ministre e Brendshme - Largohet Elona Gjebrea, emërohet Rovena Vode

Zv/ministër i Drejtësisë - Largohet Eridian Salianji, emërohet Etilda Gjonaj

Zv/ministër i Arsimit - Largohet Redi Shtino, emërohet Gerti Janaqi

Kush janë 5 zv-ministrat e fortë të PS në ministritë e PD

Kryeministri Edi Rama duket se ka menduar edhe për ministritë që ja ka kaluar Partisë Demokratike, duke i blinduar ato me zëvendësministra që kanë lenë shenjë në dikasteret që kanë drejtuar për profesionalizmin.

Kështu në Ministrinë e Shëndetësisë Largohet Klodian Rjepaj, emërohet Mira Rakacolli (Kapisyzi), një nga mjeket më të shquara të shëndetësisë shqiptare e vlerësuar për karrierën e saj.

Nga posti i zv/ministrit të Financave largohet Ervin Mete dhe emërohet Irena Beqiraj, e cila e ka mbajtur edhe më parë këtë post.

Irena Beqiraj ka qenë një ndër të besuarat e kryeministrit Rama dhe për shumë kohë ka qenë edhe në krye të Drejtorisë së Doganave.

Edhe tek Ministria e Brendshme ka një tjetër lëvizje po aq të menduar.

Në vend të Elona Gjebreas, zëvendësministre është emëruar Rovena Vode, e cila është personi që ka drejtuar de facto Ministrin e Brendshme pasi prej kohësh mbante postin e drejtorit të Kabinetit.

Ndërkaq tek Drejtësia largohet Eridian Salianji dhe në vend të tij emërohet Etilda Gjonaj, e cila më herë ka qenë edhe komisionere pranë Avokatit të Popullit.

Ndryshimet kanë prekur edhe ministrinë e Arsimit ku largohet zv/ministri Redi Shtino. Në vend të tij, emërohet Gerti Janaqi i cili ka mbajtur detyrën e drejtorit të Institutit të Zhvillimit të Arsimit.