Arbëri

Dogana nuk respekton vendimin e Themelores për ta anuluar konkursin për gradimin e oficerëve

Dogana e Kosovës ka vendosur të injorojë Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila në fund të nëntorit i kërkoi ta anulojë konkursin për gradimin e oficerëve të saj.

Në Doganë kanë vazhduar me procedurat e konkurseve të brendshme që synim kanë plotësimin e disa drejtorive dhe pozitave menaxheriale brenda këtij institucioni.

Konkursi për pozitat e drejtorëve të departamenteve është konkursi i dytë që po kontestohet pas atij të tetorit për gradimin e oficerëve OD4 dhe OD5, i cili u kundërshtua nga stafi dhe sindikata e Doganës, e për të cilat raportoi Kohavisioni.

Në disa dokumente të siguruara nga KTV-ja, shihet mendimi i Gjykatës Themelore që mban datën 25 nëntor.

Në arsyetimin e saj, Gjykata kishte gjetur se konkursi ishte në kundërshtimi të plotë me Udhëzimin Administrativ, pasi në tri pozitat e lira me titullin Drejtor Drejtorie me vetëm një përshkrim të përgjithshëm të detyrave, është kërkuar vetëm diploma universitare pa e specifikuar lëmin.

Po ashtu, është vërejtur se në këto konkurse ishte shkelur edhe Ligji për mbrojtje nga diskriminimi dhe Ligji për barazinë gjinore.

Andaj nga provat e administruara, Gjykata i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës së Kosovës që ta rishpallë konkursin dhe t’i eliminojë të metat e konstatuara gjatë zhvillimi të procedurës së konkursit të brendshëm të datës 8 qershor 2018.


Paraprakisht, mendim juridik kishte dhënë edhe Avokati i Popullit, i cili kishte vlerësuar se Dogana është duke e shkelur parimin e barazisë gjinore me këtë konkurs, e drejtë e cila garantohet me Kushtetutën e Kosovës.

Mendimi juridik i Avokatit të Popullit, ishte marrë pas një ankese të bërë nga njëra prej drejtoreshave të këtij institucioni për shkelje të meritokracisë dhe barazisë.

Avokati përfundimisht kishte konstatuar se “ Dogana e Kosovës ka dështuar të ndërmarrë veprime konkretet për të krijuar kushte për barazi gjinore në organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse, në përputhje me Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, i cili ndër të tjera kërkon që të sigurohet përfaqësimi minimal prej 50 për qind për secilën gjini, përfshirë edhe në organet drejtuese e vendimmarrëse.”
 

Ndërkaq, Dogana e Kosovës nuk i është përgjigjur KTV-së rreth kësaj çështjeje, por burime të brendshme kanë bërë të ditur se procedurat janë duke vazhduar.

Në rastin e gradimit të oficerëve përmes postës elektronike, Dogana e Kosovës i kishte thënë KTV-së se konkurset janë në përputhje me Kodin Doganor dhe ligjet në fuqi dhe sipas tyre, ato janë hapur për shkak të plotësimit të pozitave që kanë qenë me ushtrues detyre.

Madje ishte arsyetuar se pikërisht për të ruajtur imazhin e institucionit, konkursin e kishte hapur pas përfundimit të zgjedhjeve.

Procedurat e këtij konkursi pritet të marrin kohë deri në 6 muaj.