Arbëri

Ministrja Hoxha: Drejtësi për viktimat e krimit

Descriptive Text

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mori pjesë në “Lansimin e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, aktivitet ky i organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Në fjalimin e saj para të pranishmëve ministrja Hoxha rikujtoi se “puna dhe procesi për kompensim të viktimave të krimit ka filluar vite më parë dhe se Ligji për kompensimin e viktimave të krimit është miratuar në vitin 2015, transmeton Koha.net.

“Programi, të cilin po e lansojmë sot, garanton mundësi për kompensim viktimave të krimit, përkatësisht viktimave të veprave penale si: vrasja; trafikimi me njerëz; dhunimi, keqpërdorimi seksual i fëmijëve, si dhe veprat penale që bien brenda përkufizimit të dhunës në familje sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje”, tha ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha u bëri thirrje qytetarëve të vendit që të ngrenë zërin kundër krimit, kundër të keqes dhe të mos kenë frikë. Zëri i viktimave të krimit le të jetë zëri i të gjithë neve për drejtësi dhe barazi, për vlerat kundër të këqijave, për paqen dhe barazinë kundër krimit dhe padrejtësive.

“E drejta për të parashtruar kërkesë për kompensim nga programi i kompensimit të viktimave po fillon, andaj inkurajoj viktimat e veprave penale për të cilat ka përfunduar procesi gjyqësor me aktgjykim të plotfuqishëm nga 30 qershori i vitit 2016, t’i drejtoheni Komisionit për Kompensim të Viktimave”, tha ajo, ndërsa nga anëtarët e Komisionit kërkoi që të kenë parasysh se duke i respektuar viktimat e krimit ne respektojmë vlerat njerëzore të pamohueshme për të cilat shoqëria jonë nuk ka bërë dhe asnjëherë nuk do të bëjë kompromise.

Në lansimin e këtij programi morën pjesë edhe ambasador i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, si dhe kryesuesja e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, Nesrin Lushta.