Arbëri

Hodaj thotë se gjatë këtij viti janë arrestuar 35 zyrtarë policorë

Zyrtari i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka thënë se vetëm këtë vit Policia ka marrë 1430 ankesa ndaj zyrtarëve të saj.

Ai në Express Intervista të KTV-së ka thënë se janë 279 raste të cilat janë trajtuar si vepra penale, ndërkaq 35 zyrtarë janë arrestuar.

Ai thotë se Policia e Kosovës është organizata më kredibile në vend, por sipas tij, si e tillë ka edhe zyrtarë policorë që janë të përfshirë në vepra kriminale.

“Kanë qenë 1430 ankesa për sjellje jo të mira dhe për shkelje administrative, 279 raste janë trajtuar si vepra penale nga pjesëtarë, 35 zyrtarë janë arrestuar dhe janë suspenduar mbi 64 zyrtarë. Suspendimin ne e rekomandojmë për shkak të hetimeve, pastaj dënimi varet nga vepra”, ka thënë ai.

Duke folur për rastin e fundit ku një polic goditi për vdekje një person, ai ka thënë ky zyrtar ka qenë jashtë detyrës.

Ai thotë se sipas ekzaminimeve del që ai ka gjuajtur me armë zyrtare, por iu kanë gjetur edhe armë të paautorizuara.

Ai ka thënë se një zyrtar ka të drejtë që armën zyrtare ta mbajë 24 orë. Sipas tij, kjo është vepër kriminale dhe duhet të përgjigjet për veprën.

“Hetimet e deri tashme nuk paraqesin informacione për diçka përtej kësaj. Janë marrë disa pamje filmike të lokaleve dhe krejt çka dihet është se aksidenti ishte arsyeja”, ka thënë ai duke shtuar se detajet e tjera nuk mund të shpalosen për shkak se janë pjesë e dosjes hetimore.

Ai thotë se paraprakisht zyrtari policor ishte në një lokal të natës dhe i njëjti ka shtie me armë.

Duke folur për zyrtarët policorë që kishin rrahur dy persona në Shtime, ai ka thënë se janë suspenduar zyrtarët dhe është ngritur kallëzim penal.

Gjithashtu është përmendur edhe rrahja e një personi në Gjakovë ku një person me duar të lidhura ishte rrahur brutalisht, ai thotë se Inspektorati ka mbyllur hetimin për këtë rast dhe i njëjti është duke u trajtuar nga Prokuroria.

Ndërkaq për të miturin rom i cili u dhunua e pastaj u mbyt, ai ka thënë se si Inspektorat nuk kanë pasur hetim.

“Në këtë rast ne kemi pranuar një raport nga Avokati i Popullit dhe ky është në shqyrtim. Ne jemi duke e shqyrtuar atë dhe pas atij do të nxjerrim përfundime. Ne i marrim të gjitha ankesat në mënyrë të njëjtë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ka dhjetëra raste për shkarkimin e zyrtarëve për shkak të shkeljeve.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka një reputacion të mirë dhe veprat penale të zyrtarëve të saj duhet të trajtohen.