Arbëri

Thaçi deklarohet pas konstituimit të Kuvendit

Foto: Koha

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka uruar deputetët e legjislaturës së shtatë për konstituimin e Kuvendit.

“I uroj të gjithë deputetët e Legjislaturës së Shtatë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke iu dëshiruar punë të mbarë në detyrat e tyre”, ka shkruar Thaçi, transmeton Koha.net.

Ai ka kërkuar që sa më shpejtë të krijohen institucionet dhe të lihen anash inatet.

“Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, që kërkojnë nivel të lartë të përgjegjësisë për t’i tejkaluar, prandaj të gjithë të zgjedhurit e popullit duhet t’i lënë anash interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Presidenti nuk ka shkruar se kur do të nisë bisedat me partinë fituese të zgjedhjeve për caktimin e mandatarit për formimin e ekzekutivit.

E pas caktimit, mandatari ka në dispozicion 15 ditë që t’ia ofrojë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeverisës. Në rast se herën e parë dështon, Presidenti bazuar në Kushtetutë ka të drejtë që të mandatojë një kandidat tjetër për mandatar. Nëse edhe i dyti dështon që të marrë votat e nevojshme në Kuvend vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.