Arbëri

Ngec ofrimi i shërbimeve sociale - shkak numri i vogël i të punësuarve dhe mungesa e buxhetit

Qendrat për punë sociale në Kosovë, kanë dështuar të ofrojnë shërbime të duhura, ka vlerësuar Avokatit i Popullit.

Mungesa e stafit e buxhetit si dhe një varg problemesh tjera, sikurse mungesa e infrastrukturës, janë evidentuar në një raport nga ky institucion, raporton KTV.

Në Komunën e Prishtinës thonë se këto probleme kanë pasur efekt negativ në ofrimin e shërbimeve sociale për të gjitha kategoritë.

Avokati i Popullit ka rekomanduar që qendrat të kthehen nën menaxhimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Por, një gjë të tillë nuk e mirëpret Komuna e Prishtinës, e as Ministria.

Mentor Morina nga ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë se me Ligjin e ri për shërbimet sociale, qendrave për punë sociale do t’u sigurohet një grant specifik.

Sipas tij, kjo do t’u mundësojë qendrave buxhet shtesë dhe kështu, ato do të jenë më të pavarura nga komunat, sa u përket financave.

Megjithatë, përveç shtimit të stafit dhe buxhetit, Avokati i Popullit e sheh si të domosdoshme edhe krijimin e më shumë shtëpive për të moshuarit nëpër komunat e Kosovës.