Arbëri

Mësimdhënësit e të ’90-tave ankohen për gabime në përllogaritjen e pensioneve shtesë

Mësimdhënësi Nazmi Metolli, i cili tash e dy vjet është në pension, kishte pritur e përcjellë gjenerata të shumta të nxënësve.

Ai nuk hoqi dorë nga arsimi dhe nxënësit edhe në kohërat më të vështira, siç ishin vitet 1990-’99, duke punuar në sistem paralel, raporton KTV.

Madje, atë kohë Metolli thotë se ka pasur rast kur e kishte vënë në rrezik veten dhe nxënësit, momente ato të cilat do të mbeten në memorien e tij për sa do të jetojë.

Për rrezikun që i kanosej atëherë dhe kontributin që kishte dhënë, ai asnjëherë nuk ka menduar se do të duhej të kompensohej.

Ligji, i cili hyri në fuqi në muajin prill dhe nisi të zbatohet vetëm pas tetë muajsh atij dhe ish-kolegëve të tij të asaj kohe, do t’ua mundësojë kompensimin për kontributin e dhënë.

Marrja e pensionit shtesë në mënyrë retroaktive këtë muaj, është i mirëseardhur për të dhe kolegët e tij.

Por, gjatë ekzekutimit të këtyre mjeteve për rreth 9 mijë mësimdhënës që kishin kontribuar gjatë viteve të okupimit, janë vërejtur disa gabime në përllogaritje.

Këto shqetësime nga ish-mësimdhënësit që tashmë janë pensionuar i kanë pranuar në Sindikatën e Arsimit, zyrtarë të së cilës thonë se do të kontaktojnë me Ministritë përkatëse për t’i përmirësuar gabimet eventuale.

Sipas Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip nga vitet ‘90 deri në vitet ’99, mësimdhënësit nga ky muaj, përveç pensionit bazë, do të paguhen edhe me një shumë shtesë.

Bazuar në ligj, shuma e mjeteve që do t’iu ndahet këtyre ish-mësimdhënësve do të jetë nga rreth 15 deri në 70 euro varësisht prej viteve sa kanë punuar.