Arbëri

“Koha Ditore” fiton çmim nga KOMF-i për shkrimet dhe reportazhet më të mira për fëmijë

Foto: Ksp

Gazetari i “Kohës Ditore”, Besnik Krasniqi, ka fituar çmim nga ​Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, çmime këto të ndara në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus në mbrojtje të fëmijëve në Kosovë për vitin 2019.

Përfaqësuesja e BE-së, Hillen Francke, tha se familja, shkolla dhe mësuesit luajnë rolin kryesor tek të drejtat e fëmijëve por qeveria e mbart atë përgjithësinë më të madhe duke zbatuar ligjin, raporton ksp.

Donjeta Kelmendi, nga koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve, tha se viti 2019 është vit shumë i suksesshëm për Kosovën, sepse u aprovua ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Gjashtë çmime vjetore në gazetari për shkrimet apo reportazhet më të mira për fëmijët u ndan për Adelina Ahmetin nga Kallxo.com, Ardita Rashitin nga T7, Besnik Krasniqin nga “Koha Ditore”, Blerta Ahmetin nga KlanKosova, Kaltrina Rexhepin nga RTK dhe Leonida Molliqajn nga Preporter.