Arbëri

Serbia administron hekurudhat e Kosovës në veri

Kosova vazhdon të mos e administrojë linjën hekurudhore në veri të Mitrovicës, ndërkohë që ka filluar zbatimin e projekteve për rehabilitimin dhe modernizmin e hekurudhave në përgjithësi.

Linja ndërkombëtare hekurudhore që lidh Kosovën me Serbinë, është nën administrimin e Serbisë dhe strukturave paralele serbe në Mitrovicë të Veriut, thonë autoritetet kompetente të hekurudhave në Kosovë.

Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos”, kompani kjo që merret me infrastrukturën hekurudhore, thotë për Radion Evropa e Lirë se linja hekurudhore në veri të Kosovës kërkon zgjidhje të shpejtë.

Teknikisht kjo linjë hekurudhore, shton Thaçi, është në rregull, por që nuk menaxhohet nga autoritetet e Kosovës.

“Ne operojmë deri në Mitrovicën e Jugut, deri tek Ura e Ibrit, ndërsa në pjesën tjetër operon një organizatë e Serbisë dhe ne momentalisht nuk jemi përgjegjës për të operuar pa ndonjë marrëveshje apo urdhëresë. Le të shpresojmë që viti 2020 të jetë vit që do të zgjidhet ajo çështje në mënyrë që ne të kalojmë në menaxhimin dhe administrim edhe në atë pjesë të hekurudhës, pasi që nuk ka kuptim që ne t’i kemi policët, doganorët tanë në Jarinjë të Poshtme, e atje të qarkullojë treni tjetër pa asnjë leje, pa asnjë pëlqim të autoriteteve të vendit”, thotë Thaçi.

Thaçi shton se në vazhdimësi kanë shtruar kërkesën te Qeveria e Kosovës që të bëhet një zgjidhje për marrjen nën administrim të kësaj pjesë të hekurudhave, pasi që i takon Kosovës.

Sipas tij, linja hekurudhore në veri do të duhej të jetë një nga temat e diskutimeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që t’i kontaktojë zyrtarët të Qeverisë së Kosovës dhe ish-përfaqësuesit e ekipit negociator në bisedimet Kosovë- Serbi, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ka vendosur taksën 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, për shkak të, siç ishte thënë atëherë, politikës destruktive të kësaj të fundit ndaj Kosovës.

Të plotë mund ta lexoni në REL