Arbëri

Matoshi thotë se katër veprime të mëdha në të ardhmen do të ndalin ndotjen e ajrit

Sipas ministrit në detyrë i Mjedisit, Fatmir Matoshi, janë katër veprime të mëdha që në të ardhmen do të ndikojnë në ndaljen e ndotjes së ajrit në Kosovë.

Ai ka thënë se gjendja aktuale në Kosovë është jo e mirë në këtë aspekt, por ka thënë se sipas matjeve të përditshme, sivjet të dhënat janë më pozitive se vitin e shkuar.

Në Interaktiv të KTV-së, Matoshi ka thënë se janë disa masa që do të ndikonin në ndaljen e ndotjes së ajrit në vend, duke theksuar katër veprime të mëdha, që do të ndikojnë në periudhë më afatgjate për ndaljen e ndotjes.

“Rajoni është i kapluar nga një ajër i ndotur, andaj kërkohet mbështetja e secilit qytetar, institucion, gjithë atyre që qarkullojnë në qytetin tonë me vetura. Qarkullimi më i vogël i veturave do të kishte një efekt, edhe përdorimi më i paktë i lëndëve djegëse. Ndoshta bashkë mund t’ia dalim. Veprimet e mëdha pritet të ndërmerren, ndërrimi i filtrave në Kosovën B, procesi i kogjenerimit, një tjetër projekt që është lansuar nga komuna e Prishtinës është për ngrohje solare në disa zona dhe futja dhe zbatimi i plotë i udhëzimit administrativ për matjen e emetimit të gazrave nga mjetet motorike. Janë më afatgjate, por që do të kenë efekt pozitiv”, ka thënë Matoshi.