Arbëri

QKKS: Qytetarët u besojnë institucioneve të sigurisë, e më pak Qeverisë

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës janë të parat në listën e institucioneve që më së paku gëzojnë besimin e qytetarëve.

Në publikimin e fundit të Barometrit të Sigurisë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), u publikuan anketimet e 1189 familjeve kosovare për dy kapituj.

Kapitulli i parë i këtij barometri përfshin besueshmërinë e qytetarëve në institucionet e sigurisë, drejtësisë dhe në institucionet e nivelit lokal e qendror.

Sipas hulumtueses dhe koordinatores së kësaj organizate, Donika Marku, nga rezultatet e marra del se institucionet më së paku të besueshme për qytetarët së bashku me Qeverinë dhe Kuvendin, janë edhe institucionet e drejtësisë.

Sipas këtyre anketave, Institucionet e Sigurisë vazhdojnë të jenë më të besueshmet derisa edhe ato lokale gëzojnë besueshmëri më të lartë se institucionet qendrore.

Në pjesën e dytë të kësaj ankete, është trajtuar edhe perceptimi publik lidhur me korrupsionin brenda këtyre institucioneve.

Nga rezultatet në terren, më shumë se gjysma e të anketuarve i shohin Gjykatat dhe Prokurorinë si institucionet më të korruptuara.

Edhe në këtë kapitull, FSK-ja shihet si institucion më së paku i ndikuar nga korrupsioni derisa gjatë këtij viti, rënie ka shënuar edhe niveli i korrupsionit në Polici.