Arbëri

Ngërçi në bisedimet për koalicion përçan LDK-në

Descriptive Text

Albin Kurti e Vjosa Osmani janë regjistruar të premten njëkohshëm në Kuvend, si deputetë të legjislaturës së shtatë. Në partinë e saj, Osmani ka marrë kritika të forta për këtë.

Osmani ka qenë kandidate për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Pas zgjedhjeve kjo parti ka kushtëzuar me postin e presidentit koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) të Kurtit, subjekt politik që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, shkruan sot Koha Ditore. E ka bërë këtë, ani se gjatë fushatës vetë Osmani kishte dhënë zotimin se presidenti i ardhshëm do të përbëjë emër konsensual.

Agim Veliu, nënkryetar dhe njeri me ndikim të madh në LDK, i ka thënë “Kohës Ditore” të premten të mos jetë i qëndrueshëm deklarimi i Osmanit se regjistrimi i përnjëhershëm me Kurtin ishte rastësi. Sipas këtij zyrtari të LDK-së, “rastësitë” e saj me Kurtin janë kthyer në përditshmëri. Ai ka lënë të kuptohet se, nëpërmjet mesazhit me rastin e regjistrimit në Kuvend, ish-kandidatja për kryeministre do që ta vërë në presion LDK-në, për të lidhur marrëveshje koalicioni me LVV-në.

“Ajo duhet t’u japë sqarim votuesve të LDK-së se çka po do të japë mesazh me këto rastësi. Sipas gjykimit tim, nëse dikush merr obligime që nuk i takojnë, aty komplikohet situata”, ka thënë Veliu. “Ne është dashtë me i bë presion atij (Kurtit v.j.), me punu sa më shumë, në mënyrë që sa më shpejt me u bo qeveria. Pra, që ai me e ofru ofertën dhe LDK-ja me vendosë se a është e pranueshme apo jo”.

Të dyja partitë kanë finalizuar programin qeverisës, por negociatat mes tyre kanë pësuar ngërç, prej kur në rend dite është vënë ndarja e pushtetit. Ato janë akorduar që kryeministri t’i takojë LVV-së, e zëvendëskryeministri dhe kryeparlamentari LDK-së, por edhe që secila parti të udhëheq me nga pesë ministri. Mirëpo, LDK-ja insiston të ketë marrëveshje edhe për kreun e shtetit, post të cilën presidenti Hashim Thaçi do ta lirojë tek në 2021-n, kur i përfundon mandati. Kjo parti e do për vete, ndërsa LVV-ja kërkon që ose të gjendet një person konsensual, ose që deri atëherë të bëhet reforma zgjedhore, në kuptim që shefi i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

Është raportuar se grupi i të rinjve të LDK-së, me të cilin identifikohet Osmani, nuk është i mendimit me të vjetrit e partisë, që kushtëzojnë koalicionin me postin e kreut të shtetit.

Pas publikimit të fotografisë tek regjistrohet si deputete e legjislaturës së shtatë, përnjëherësh me Kurtin, Osmani ka bërë një sqarim. Ka thënë të mos ishte ky një mesazh politik.

“Nuk ishte mesazh politik, por thjesht një koincidencë. Unë kam shkuar të regjistrohem në kohën që më është sugjeruar nga administrata e Kuvendit, meqë më herët isha jashtë vendit. Pra, ishte çështje administrative e jo politike”, ka shkruar Osmani. “Mesazhet politike për partinë time unë i bëj të qarta përbrenda organeve tona vendimmarrëse dhe as nëpërmjet fotografive e as në mënyrë të tërthortë. Qëndrimet tona politike janë ndërtuar me përkrahjen unanime të organeve të LDK-së”.

Por, Agim Veliu ka insistuar të mos jetë koincidencë.

“Nuk po i shoh si kontribute me ofru punë. Regjistrimi i tyre bashkë dhe arsyetimi që po e japin, për mua janë të pakuptueshme. Unë e di që rastësia është mbret i botës, por rastësisht çdo ditë nuk mund të ndodhë diçka. Rastësia mund të jetë një herë, por jo gjithë”, ka thënë Veliu. “Ata do të duhej të kujdeseshin që të mos ndodhnin rastësi të këtilla. Kanë plot kolegë të vet, me të cilët do të mund të shkonin bashkë. Unë nuk po i kuptoj”.

Osmani i është kundërpërgjigjur, në një deklarim të shkurtër që ia ka dhënë “Kohës Ditore”. Mbështetur në atë që ka thënë, Veliu është një ndër njerëzit përgjegjës për vështirësimin e mbërritjes së marrëveshjes së koalicionit.

“Deklaratë qëllimkeqe e tendencioze, e bazuar në të pavërteta. E vërteta është ajo që e kam thënë unë, e bazuar në video-dëshmi”, ka thënë Osmani. “Komplikuesit e vërtetë (të marrëveshjes për koalicionin v.j.) tashmë dihen”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)