Arbëri

Zëdhënësi Çela kërkon që argumentet për demarkacion të dërgohen në institucione

Descriptive Text

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, përmes të cilës i ka barë ftesë publike, të gjithë ekspertëve, qytetarëve, dhe këdo që ka argumente që ato t’i shpalos pranë Komisionit të Ekspertëve, në ambientet e institucioneve, në mënyrë që të nxirret një përfundim në interes të shtetit të Kosovës, njofton kumtesa nga Komisioni transmeton Koha.net.

“Edhe njëherë, bëjmë ftesë publike, që dokumentacioni zyrtar, argumentet shkencore, faktografia dhe informacionet tjera, mos të shpalosen në hollët e restoranteve, hoteleve, dhe ambienteve tjera afariste, por të shpalosen aty ku është vendi, ku është themeli i shtetit, ku është institucioni që duhet të vazhdoj dhe të procedoj me këtë çështje, deri në verifikimin përfundimtar të tij”, tha zëdhënësi i këtij Komisioni, Tomor Çela.

Çela tha se sot është dita e fundit e diskutimeve publike lidhur me raportin përfundimtar për matjen e territorit të Kosovës, dhe pas këtij diskutimi publik, ku janë të prezantuara të gjitha dokumentacionet dhe gjetjet profesionale, shkencore dhe menaxheriale që lidhen me madhësinë e territorit të Kosovës, do të publikohet edhe Raporti final i cili do t’i përmbaj detajet mbi sipërfaqen e komunave administrative të Kosovës dhe zonave kadastrale të secilës pjesë të Kosovës.

“Komisioni po ashtu fton personat e tjerë të cilët tash e muaj kanë ngritur dilema dhe pretendime rreth këtij procesi, që kontributin e tyre dhe çdo pretendim që shfaqin, çdo fakt, çdo dokument, të vijnë këtu në sallën ku është i ekspozuar i gjithë dokumentacioni i diskutimit publik, të diskutojmë së bashku dhe të nxjerrim një përfundim mbi faktografinë të cilën ne e posedojmë dhe faktografinë të cilën ata e kanë në dispozicion” tha ai.

Zëdhënësi i Komisionit po ashtu bëri një kronologji të shkurtër të punës së deritashme të Komisionit.

“Mund të nxjerrim një përshkrim të qartë se Komisioni i Ekspertëve të matjes së territorit të Republikës së Kosovës, ka pasur një shkallë absolute të transparencës, një shkallë absolute të bashkëpunimit me secilin qytetar që ka qenë i interesuar të vjen, të shpreh shqetësimet e tij dhe të dëgjojë argumentet tona. Pas themelimit të Komisionit të Ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, shumica dërrmuese e anëtarëve të këtij Komisioni, i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për të qenë anëtarë dhe pjesë e punës vërtetë voluminoze dhe profesionale të këtij Komisioni. Vlen të theksohet, dhe konsideroj se është me rëndësi shumë të madhe, se procesi është vëzhguar gjatë gjithë kohës, gjatë të gjitha takimeve nga përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian, dhe përfaqësuesit e KFOR-it. Më pas, në mbështetje të të dhënave, argumenteve dhe gjetjeve profesionale, shkencore dhe menaxheriale që u ofruan nga të gjitha institucionet pjesëmarrëse në procesin e matjes, si dhe debatit për verifikim të mbulueshmërisë me dokumentacion administrativ e hartografik nga ekipi i specialistëve të fushave të ngushta në terren, pikërisht në segmentet dhe pikat e diskutueshme, Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka njoftuar për madhësinë territoriale të Republikës së Kosovës para gushtit të 2015-s, dhe pas kësaj date deri më tash. Para gushtit të vitit 2015, territori i Kosovës sipas të gjithë dokumentacionit ka qenë 10.908 km2. Mirëpo, në bazë të obligimeve ndërkombëtare që ka marrë shteti ynë, në radhë të parë nga Plani gjithëpërfshirës i Ahtisaarit, po e përmendi edhe njëherë Aneksin VIII, paragrafin 3 pikën dy të kësaj Marrëveshje, e cila shpjegon procesin e demarkimit të kufirit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe asaj të Maqedonisë, kemi vërejtur se ka një ndryshim të vogël të sipërfaqes kadastrale në zonat Debëllde, që ka një minus të sipërfaqes, zonën kadastrale të Restelicës që ka një minus të sipërfaqes, dhe zonën kadastrale të Dimcës, që ka një rritje të sipërfaqes. E gjithë kjo është në pjesën e segmentit të kufirit në mes të Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë. Prandaj, në bazë të këtyre gjetjeve, është vërtetuar se territori i Republikës së Kosovës është 10.905.25 Km2. Pjesë e këtij Drafti të Raportit si dhe Raportit Përfundimtar të punës së Komisionit dhe të dokumentacionit që është në dispozicion, duke filluar nga gjeoinformacionet, hartat e kadastrit të tokave, hartat topografike, skicat, të dhënat statistikore, planet zhvillimore e mjedisore, e të tjera, si dhe të gjitha faktet tjera, ligjore, faktet shkencore, dhe gjetjeve tjera profesionale që lidhen me madhësinë territoriale të Kosovës dhe njësive më të vogla administrative, do të jenë të përgatitura dhe do të jenë publike në anekse të veçanta të këtij raporti, pra të Raportit final”, tha ai.

Tomor Çela, më tutje ka ftuar edhe një herë të gjithë të interesuarit që të sjellin argumentet e tyre pranë Komisionit.

“Me synim që të jemi në vazhdimësi dhe gjatë gjithë kohës në transparencë maksimale, ne i ftojmë edhe njëherë, të gjithë të interesuarit, të gjithë ekspertët, të gjitha institucionet në nivel lokal dhe qendror, që nëse posedojnë të dhëna, argumente, dhe dokumentacion administrativ, le të vijnë deri në ora 15:00 sot në sallën afër nesh këtu, që të diskutojmë dhe të sigurohemi që secili dokumentacion që ne kemi këtu, është valid, është zyrtar, ka një kronologji të zhvillimit të aktiviteteve socio-ekonomike në hapësirën gjeografike të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, për periudhën kohore 1974-1988, dhe në vazhdimësi, pas vitit 1999 e deri më sot. Edhe njëherë, bëjmë ftesë publike, që dokumentacioni zyrtar, argumentet shkencore, faktografia dhe informacionet tjera, mos të shpalosen në hollët e restoranteve, hoteleve, dhe ambienteve tjera afariste, por të shpalosen aty ku është vendi, ku është themeli i shtetit, ku është institucioni që duhet të vazhdoj dhe të procedoj me këtë çështje, deri në verifikimin përfundimtar të tij”, tha ai.

Image