Arbëri

IKD reagon ndaj sulmeve verbale e ofendimeve që iu bënë monitorueses së tyre në seancë gjyqësore

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar ndaj sulmeve verbale, ofendimeve dhe presionit ndaj monitorueses së IKD-së në seancën gjyqësore të mbajtur më 9 dhjetor 2019, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lidhur me këtë, IKD ka shprehur keqardhje për dështimet e gjykatës për ta ruajtur rendin dhe dinjitetin e gjykatës, duke e shndërruar gjykatoren në sallë kinemaje dhe kërkon përgjegjësi për sharjet dhe ofendimet ndaj monitorueses së IKD-së.

Reagimi i plotë:

IKD përmes portalit “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 9 dhjetor 2019, lidhur me përdorimin e telefonit nga i akuzuari E.K., i cili gjatë seancës gjyqësore kishte shikuar meç të boksit, duke e shndërruar gjykatoren në sallë kinemaje. Kjo sjellje e të akuzuarit E.K. përbente shkelje të rendit në gjykatore dhe veçanërisht të dinjitetit të gjykatës, për të cilat shkelje kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili, nuk ishte kujdesur ashtu siç përcaktohet me nenin 301 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPRK).

Seanca e raportuar ka të bëjë me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj M.Z., E.K. dhe I.K. që akuzohen për veprat penale “pastrim i parave”, “mashtrimi” dhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”. Ndër të tjera, ky rast është një nga rastet e shënjestëruara për liberalizim të vizave.

Pas publikimit të lajmit në portalin “Betimi për Drejtësi”, njëri prej avokatëve mbrojtës gjatë seancës gjyqësore kishte deklaruar se publikimi i lajmit lidhur me shikimin e meçit të boksit në seancë gjyqësore nga klienti i tij ishte veprim skandaloz i monitorueses dhe përbënte cenim të privatësisë. Ndërsa, ish-deputeti, njëherësh ish-kandidati për kryeministër në zgjedhjet e fundit në Kosovë, M.Z. i akuzuar për vepra penale serioze, kishte filluar sharjet dhe ofendimet ndaj monitoruesve prezentë përfshirë monitoruesen e IKD-së, duke përdorur sharje dhe ofendime të papranueshme.

Fatkeqësisht, nga reagimet e avokatit mbrojtës dhe të ish-deputetit të akuzuar për vepra penale serioze, ishte ndikuar edhe kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili, i cili në vend që të vendos rregull dhe rend në gjykatë dhe të mbrojë dinjitetin e vetë gjykatës, ai nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim, por kishte lejuar spektakël përmes pretendimeve të pabazuara të avokatit mbrojtjes, si dhe përmes sharjeve dhe ofendimeve e ish-deputetit M.Z..

Në këtë rast, gjyqtari Ismaili ka dështuar që në pajtim me obligimet që i përcakton KPPRK të mbajë rendin në gjykatore dhe të ruajë autoritetin dhe dinjitetin e gjykatës siç përcaktohet me nenin 301 dhe 302 të Kodit të Procedurës Penale. Lidhur me këtë situatë, gjyqtari Ismaili asnjëherë nuk ka lëshuar vendim me shkrim të arsyetuar lidhur me kufizimin e filmimeve, regjistrimit apo fotografimit për këtë seancë gjyqësore.

Për më tepër, gjyqtari Ismaili, sipas nenit 323 të KPPRK-së, e ka obligim ligjor që të sigurohet të këshillojë të akuzuarin të përcjellë me vëmendje zbatimin e shqyrtimit gjyqësor dhe e udhëzon se mund të paraqesë fakte, t’u shtrojë pyetje të bashkakuzuarve, dëshmitarëve dhe ekspertëve, të bëjë vërejtje dhe të jep shpjegime rreth deklarimeve të tyre.

IKD shpreh keqardhje për dështimet e gjykatës për ta ruajtur rendin dhe dinjitetin e gjykatës, duke e shndërruar gjykatoren në sallë kinemaje dhe kërkon përgjegjësi për sharjet dhe ofendimet ndaj monitorueses së IKD-së.