Arbëri

Paralajmërohet që marrëveshja ndërmjet VV-së e LDK-së arrihet këtë javë

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë deklaruar se marrëveshja ndërmjet dy partive do të arrihet së shpejti.

Pas regjistrimit në Kuvend, Haki Abazi i Vetëvendosjes, ka thënë marrëveshja ndërmjet dy partive duhet të përfundojë deri në fund të javës, raporton KTV.

Kurse, Avdullah Hoti nga LDK-ja, ka thënë se marrëveshja me Vetëvendosjen nuk ka arsye të dështojë.

Konstituimin e përbërjes së re të institucioneve e ka kërkuar edhe shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova.

“Dua të theksoj se është shumë i rëndësishëm formimi i Qeverisë sa më shpejt që është e mundur, sepse qytetarët e Kosovës duan të shohin një qeveri funksionale. Edhe BE-ja është e interesuar ta shohë formimin e shpejtë të institucioneve, sepse kemi nevojë ta kemi një partner për procesin e reformave dhe mos të harrojmë se edhe është koha që buxheti të miratohet, por edhe shumë projekte të tjera që janë në proces e sipër”, ka thënë Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, për herë të fundit janë takuar më 2 dhjetor.

Në këtë takim, ata nuk kanë arritur të dakordohen për ndarjen e ministrive, për të cilat deri tani palët janë pajtuar vetëm që të jenë 12 gjithsej.