Arbëri

Thaçi nesër bën homazhe në Reçak, pak ditë pasi Vuçiqi mohoi masakrën

Foto: Driton Paçarada / KD

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të bëjë homazhe në kompleksin përkujtimor në Reçak, të martën, më 10 dhjetor, pak ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mohoi këtë masakër duke e quajtur trillim.

Kjo masakër ka përvjetorin në muajin janar, teksa Thaçi ka njoftuar se do të bëjë homazhe nesër, në orën 11:30, në kompleksin përkujtimor.

Thaçi kishte reaguar pas deklaratave të Vuçiqit duke thënë se “zyrtarët nga Serbia po mohojnë disa prej krimeve më të këqija kundër civilëve që ndodhën në Evropë, si në Reçak, të konfirmuara nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë”.

“Politikat gjenocidale serbe nuk mund të mbrohen. Ata duhet të denoncohen. Paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”, kishte thënë Thaçi.