Arbëri

Punëtorët e MKRS-së nuk e lejojnë bartjen e materialeve, paralajmërojnë bojkot

Ndonëse është e shtunë, ditë pushimi, punëtorët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë dalë në vendin e punës, por jo për të punuar.

Ata janë mbledhur për të parandaluar zhvendosjen e gjësendeve nga objekti i ministrisë, aksion ky i cili ka nisur në orën tetë të mëngjesit, raporton KTV.

Punëtorët kanë arritur ta bëjnë këtë në bashkëpunim me policinë, e cila u doli në ndihmë.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve, Labinot Berisha, ka thënë aksioni i së shtunës është zhvilluar pa vendim zyrtar, derisa, sipas tij, është tentuar që jashtëligjshëm të bëhet zhvendosja e dokumenteve të rëndësishme të Ministrisë.

Në një takim rreth gjysmëorësh, që u zhvillua të shtunën ndërmjet Sindikatës, Policisë dhe Ministrisë së Administratës Publike, është arritur dakordimi që derisa nuk ka vendim zyrtar për zhvendosje, në objektin e MKRS-së të mos preket asnjë dokument.

Berisha, që akuzon ministrin në detyrë, Kujtim Gashi, për mospërfillje të procedurave, ka paralajmëruar bojkot të punës nëse vazhdohet me tentime të tilla.

Punëtorët thonë se pranojnë të zhvendosen vetëm në ndonjë objekt që është në pronësi të shtetit dhe jo në objekt privat.

Ministri në detyrë, Kujtim Gashi, dhe sekretari i MKRS-së, Veton Firzi, kanë qenë të paqasshëm në telefon gjatë së shtunës.

Personat që kanë tentuar të zhvendosin asetet e ministrisë, janë punëtorë të një kompanie të kontraktuar nga Ministria e Administratës Publike. Ministri në detyrë Mahir Yagcilar, ka thënë se nuk vendosin për këtë çështje, por vetëm kryejnë shërbimet e kërkuara, në këtë rast nga MKRS-ja.

Përmes protestave, stafi civil i MKRS-së vazhdimisht ka kundërshtuar zhvendosjen nga objekti, për t’ia liruar atë Presidencës.