Arbëri

Studentët me peticion kërkojnë lirimin e Haradinajt

Descriptive Text

Një peticion me 3 mijë nënshkrime për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është dorëzuar sot tek Ambasada e Francës në Prishtinë.

Peticioni me nënshkrimet e 3 mijë studentëve është dorëzuar nga “Demokracia Studentore’’, e cila ka qenë organizatore e mbledhjes së këtyre nënshkrimeve.

Sipas organizatorëve peticioni është bërë me qëllim për t’i mbrojtur vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i organizatës “ Demokracia Studentore”, Mexhid Ramusa, pas dorëzimit të peticionit tha se studentët e Kosovës e kanë obligim moral t’i mbrojnë vlerat e luftës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj edhe e kanë marrë iniciativën për këtë peticion.

Ramusa gjithashtu shtoi se zyrtarët e Ambasadës së Francës e kanë pranuar peticionin duke iu thënë, siç tha ai “do të bëjnë përpjekje për lirimin e Haradinajt.

Ish-komandanti i UCK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, po mbahet në Francë me kusht pasi që më 4 janar ishte arrestuar nga policia franceze në bazë të një fletarresti lëshuar nga Serbia.

Shteti serb e akuzon Haradinajn për krime lufte. Më 2 mars Gjykata në Colmar të Francës do të marrë vendim lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstradim të Ramush Haradinajt.