Arbëri

Vaksinat që bleu MSH-ja përmes UNICEF-it kanë kushtuar mbi 444 mijë euro, shpërndarja nis javën tjetër

Foto: Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një kumtese për media, rikujtojnë dhe informojnë qytetarët e Kosovës se, në funksion të parandalimit të gripit sezonal, MSh i ka porositur rreth 100.000 vaksina kundër gripit (prej tyre 500 doza pediatrike), të cilat janë porositur përmes shërbimeve të prokurimit të UNICEF-it.

“Vaksinat e porositura pritet të arrijnë në Kosovë ditën e premte (6 dhjetor), ndërsa shpërndarja e tyre do të fillojë javën tjetër”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin për media thuhet se vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSh, do të jenë katër shtamëshe, që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj virusëve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal.

LEXO EDHE: IKSHPK: Prishtina, Prizreni e Podujeva me numrin më të madh të të prekurve nga gripi sezonal

“Duke pasur parasysh që vaksinat kundër gripit sezonal, të cilët sivjet do të përdoren për herë të parë janë katër shtamëshe, disa vonesa janë regjistruar si në Kosovë ashtu edhe në vendet e rajonit. Vaksinat janë të dedikuara për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike”, thuhet në njoftim.

Vaksinat e siguruara përmes UNICEF-it, thuhet se janë të parakualifikuara sipas standardeve të OBSh-së dhe garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre.

“Këto vaksina të blera nga MSh-ja dhe që kanë kushtuar 444.170 euro do t'i shpërndahen popullatës përmes IKSHKP-së dhe Njësive të vaksinimit në QKMF-të e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thotë se i siguron qytetarët se po e monitoron me kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të Gripit sezonal.