Arbëri

Rama: Nga fondi 1 milion lekësh do të përfitojnë edhe dy familjet nga Gjilani

Descriptive Text

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, deklaroi se nuk duhet përhapur panik pa u vlerësuar dëmet dhe të pritet raporti i vlerësimit që po përgatitet nga ekspertë të huaj.

“Nuk duhet përhapur panik pa u vlerësuar dëmet. Për këtë arsye ne i kemi marrë ekipet e huaja që të kemi jo vetëm garanci teknike. Duhet të kemi katër sy. Në ato formularë, të jetë syri i ekspertizës shqiptare dhe atyre ndërkombëtare”, tha Rama.

Kreu i qeverisë ka përsëritur edhe njëherë thirrjen për kreun e opozitës Lulzim Basha. Ai tha se kjo është një nevojë për qytetarët shqiptarët të cilët duhet të kenë para syve shembullin e një bashkëpunimi mes palëve, e cila nuk ka pse të cilësohet si propagandë.

“Më mundon pak mungesa e një elementi. Skepticizmi i opozitës për t’u përfshirë në këtë proces dhe për të pasur përfaqësuesit e vet. Nuk e kuptoj dot refuzimin që forcat politike të ulen në një tryezë. Duhet të reflektohet për këtë. Kjo nuk është politikë. Sepse politika në fakt ka lindur që njerëzit të adresojnë sfida dhe të zgjidhin probleme që nuk zgjidhen kur janë vetëm. Politika duhet të bëjë mrekulli. Nuk e kuptoj dot që të ulet në tryezë përfaqësia e këtij vendi, qenka propagandë. Nuk dua të bëj asnjë polemikë por edhe njëherë tjetër i bëj thirrje Lulzim Bashës dhe opozitës të mos ia kursejnë popullit shqiptar këtë nevojë. Është nevoja e njerëzve të shikojnë këtu bashkim, që në këto ditë të zeza ata që nuk e shohin dot njeri tjetrin në sy të bëjnë një hap prej asaj që ka ndodhur. Unë e kam parë me kënaqësi dhe respekt një mesazh të tij që bënte thirrje për bashkim, sepse tingëllojnë si hipokrizi ku nuk ka vepra, po ky nuk është rasti sepse besoj se mesazhi ka qenë i ndjerë”, tha Rama, raporton “Shqiptarja”.

Rama njoftoi se sot aktivizohet fondi prej 1 milion lekësh, ndërsa fëmijët dhe pensionistët në familjet e viktimave do të marrin shpërblimin e përcaktuar (bursë dhe pension të veçantë), edhe për muajin nëntor.

“Ministrja e Financave dhe kryetari i Komitetit Kombëtar po punojnë me ekspertët për rishikimin e buxhetit. Përgjigja dhe reagimi i partnerëve është inkurajues sepse nevoja për të krijuar një bazë solide për operacionin e rindërtimit është e madhe. Të gjitha familjet të targetohen sipas nevojës që procesi të mos marrë vite e vite. Na është ngarkuar që të merret me familjet e viktimave. Familjeve të vetmuara, të Thumanës ju duhen vetëm opsione, nëse dëshirojnë të qëndrojnë aty ose të vijnë në Tiranë. Për familjet që kanë pasur këto goditje ikja në një vend do ishte zgjidhja më e mirë sepse qëndrimi aty ku humbën gjithë ato njerëz do e bënte të vështirë rikuperimin psikologjik të tyre. Brenda mesit të dhjetorit të gjithë do jenë nëpër shtëpia. Kështu me familjet në Durrës dhe kështu me familjen në Tiranë. Fondi prej 1 milion lekësh duhet të aktivizohet sot. Janë edhe dy familje në Kosovë që duhen kontaktuar dhe duhet ta marrin këtë fond. Fëmijët duhet të marrin bursën duke përfshirë edhe muajin nëntor. Për pensionistët, nuk bëhet fjala për një pension të çfarëdoshëm por pensionin e veçantë të Republikës së Shqipërisë. Të gjithë ata që janë pensionistë në këto familje dhe shuma duhet të jetë e lërueshme menjëherë. Nëse do të dhurohet në dhjetor brenda do të jetë edhe pensioni i nëntorit”, tha Rama.

Kryeministri Rama, teksa kujtoi mbledhjen e sotme të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, paralajmëroi një konferencë informimi publike që të ekspozojnë fotografi që njerëzit të mësojnë të identifikojnë dëmet nga tërmeti.

“Kemi grupe inspektorësh që kanë ardhur, grupe që po vijnë dhe është me shumë rëndësi të garantohet organizimi i plotë i punës. Këta ekspertë janë të përgatitur për këto situata. Unë i kam kërkuar të gjithëve dje dhe kemi filluar punë për të filluar sa më shpejt një konferencë informimi publike që të ekspozojnë fotografi, fakte nga puna e tyre me shpjegime teknike që njerëzit të dallojnë mes godinave të krisura dhe godinave të rrezikuara. Pamja e jashtme e godinave nuk është tregues i një situate të rrezikshme. Sot mblidhet Komiteti Kombëtar i Rindërtimit”, tha Rama.

Rama bëri thirrje që në këto ditë mësimi në shkolla duhet të kalojë në plan të dytë, për t’i lënë vend bisedave dhe lojërave që ndihmojnë anën psikologjike të fëmijëve.

“Duhet që në këto ditë mësimi të kalojë në plan të dytë. Duhen organizuar biseda, lojëra, shëtitje të përbashkëta. Do kemi kohë të rikuperojmë orët e mësimit dhe kjo është koha për të bërë sa më shumë në këtë aspekt. Çdo klasë në zonat e prekura ka nevojë për këtë asistencë njerëzore”, tha Rama.