Arbëri

Reagime të shumta ndaj emërimeve të fundit në AKI

Shkelje e Kushtetutës dhe Ligjit për AKI-në, po cilësohet emërimi i Kreshnik Gashit, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës dhe Burim Ramadanit kryeinspektor në këtë institucion.

Neni 129, paragrafi 2 i Kushtetutës së Kosovës, thotë se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë është politikisht e paanshme, raporton KTV.

Edhe neni 17, paragrafi i parë i Ligjit për AKI-në, thotë se punonjësit e këtij institucioni nuk mund të jenë pjesë e partive politike.

Pavarësisht se Kreshnik Gashi ka qenë ish-bashkëpunëtor i Hashim Thaçit dhe Burim Ramadani pjesë e AAK-së, Haradinaj ka thënë se ka ushtruar kompetencat e tij.

Madje, ka pasur vlerësime superlative për Ramadanin.

E zëshme kundër emërimeve në Agjencinë e Inteligjencës është shprehur Vetëvendosje.

Ky subjekt e quan pazar politik të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, emërimin e dikur vartësve të tyre në krye të AKI-së.

Njohësi i sigurisë dhe ish-deputeti i LDK-së, Nuredin Ibishi, i ka cilësuar këto emërime kryekëput politike, kundërkushtetuese e të kundërligjshme.

Edhe për juristin Ehat Miftaraj, emërimi i Gashit dhe Ramadanit në pozitat udhëheqëse në AKI, është i kundërligjshëm.

Emërimi i Kreshnik Gashit në krye të AKI-së vjen pas dorëheqjes së drejtorit të kësaj agjencie, Shpend Maxhuni, i cili nuk i ka bërë të ditura arsyet e dorëheqjes.