Arbëri

Anketë: 55 % e serbëve në Kosovë, në pesë vitet e ardhshme synojnë të largohen

Descriptive Text

Analiza lidhur me trendin e qëndrimeve e komunitetit serb në Kosovë, që është publikuar nga organizata joqeveritare Aktiv dhe Radio Kim që është financuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) ka treguar se 92 për qind e serbëve të Kosovës besojnë se zhvillimet e përgjithshme në Kosovë nuk janë në favor dhe nuk janë inkurajuese për komunitetin serb në Kosovë.

Sipas kësaj analize 50 për qind e serbëve të Kosovës konsiderojnë se efektet e proceseve politike aktuale janë rreziku më i madh si për sigurinë e tyre ashtu edhe për sigurinë e familjeve të tyre, raporton Koha Ditore.

55 për qind e të anketuarve nuk e shohin veten në Kosovë në pesë vitet e ardhshme ose do të largohen nëse u jepet mundësia.

Analiza ka treguar se 60 për qind e serbëve thonë se në Kosovë nuk ka asnjë politikan të cilit i besojnë.

Është theksuar se nga pesë pikë, të anketuarit me 2.82 e kanë vlerësuar Qeverinë e Serbisë dhe me 1.98 Qeverinë e Kosovës.

Për hartimin e kësaj analize janë anketuar 540 serbë të Kosovës, 270 në veri të Kosovës dhe 270 në mjediset me shumicë serbe në jug të lumit Ibër.