Arbëri

Haxhiu akuzon PAN-in për pazare me Vuçiqin për votat e refuzuara të serbëve

Albulena Haxhiu nga radhët e Vetëvendosjes në Interaktiv të KTV-së ka thënë se PAN-i ka bërë gjithçka për të dëmtuar Vetëvendosjen, derisa i ka akuzuar për pazare me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për votat e refuzuara të serbëve.

Ajo thotë se qytetarët janë stërlodhur me këtë zgjatje të procesit të zgjedhjeve.

“Kur PAN-i ka marrë vesh se ka pësuar humbje të madhe, atëherë është aktivizuar të bëjë gjithçka vetëm që opozita e deridjeshme të mos ketë 61 deputetë në Kuvend. Nuk ka qenë çështja e votave serbe, pasi pas kalkulimeve që i kanë bërë ata kanë kërkuar të hiqen votat e serbëve e kanë kërkuar të hiqen edhe ato të diasporës. Në momentin kur këto vota, ose ky pazar nuk ish bërë pa Listën Serbe do të kishte reagime nga Lista Serbe e nga Serbia. Ju e dini mënyrën se si është bërë numërimi i atyre votave. Mendoj se këtu kanë pasur pazare edhe me Vuçiqin, jo vetëm që kanë bërë marrëveshje me Listën Serbe por edhe me Vuçiqin”, ka thënë Haxhiu.

Ajo thotë se ka informacione që njerëz të sistemit të drejtësisë janë përfshirë në këtë pazar.

E sipas saj sikur të kishte institucione të pavarura në drejtësi atëherë do të kishte hetime për këtë.

Tutje ajo ka thënë se PDK-ja po e përdor si mashë Nismën për të dëmtuar Vetëvendosjen.

“Nismën po e përdorin si mashë për të dëmtuar Vetëvendosjen. Ajo përdoret si mashë nga PDK-ja. E dimë se jemi nisur në një maratonë të gjatë dhe sfidat që na kanë vendos tani janë të kapërcyeshme për ne. Ata tentojnë të na frikësojnë duke në thënë se është e vështirë, por ne nuk zmbrapsemi sidomos kur qytetarët kanë kërkuar që ne të jemi në qeverisje”, ka thënë Haxhiu.

Ajo akuzon PZAP-në për vonesën në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

“Paneli që e ka vonuar certifikimin e rezultateve është PZAP për shkak se ka bërë lojëra të ndyra. Po të mos dilte VV subjekti i parë nuk do t’i kishe parë këto vendime për rinumërime. Pres që supremja të vendos në të mirë të pakove të diasporës. Nisma mund të ketë 17-18 vota mbi prag, po flas në mënyrë të informacioneve nga vëzhguesit tanë”, ka deklaruar Haxhiu. “Është shqetësuese kur Nisma kishte deklaruar para vendimit të Supremes që ajo do të merrte vendim në favor të tyre. Është e papranueshme që një politikan të flasë para vendimit të një gjykate”.