Arbëri

Ministri Tahiri: Këtë vit i japim fund fenomenit të canabisit

Tiranë, 24 shkurt - Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha sot se, “policia e shtetit është në këmbë” dhe se,” po lufton narkotizimin në katër anët e vendit”.

Ai tha se, shifrat thonë gjithnjë të vërtetën, sado që mund t’u fshihesh atyre duke shtuar se këtë vit policia do t’i japi fund këtij fenomeni.

“Askush nuk u fshihet shifrave. Ne i dimë shifrat sepse kemi bashkëpunuar me Guardia di Financa. Sot po sulmohet Policia për kanabisin për shkak se po lufton çdo ditë me këtë fenomen. Në krahasim me kohën e PD, shifrat as mund të krahason. Këtë vit i japim fund këtij fenomeni”.

Saimir Tahiri këtë deklaratë e bëri pas aktivitetit ku u lancua projekti ‘Policimi në Komunitet’. “Lufta kundër kanabisit është prioriteti ynë, dhe sot jo pa shkak po flitet për luftë kundër kanabisit, sepse sot policia po lufton më shumë se kurrë ndaj këtij fenomeni. E nisëm me Lazaratin i dhamë fund dhe të njëjtën gjë do të bëjmë me çdo cep të Shqipërisë. Ishte turpi botëror, vazhduam me çdo fshat dhe qytet dhe do i japim fund dhe ky është viti për t’u matur dhe për të parë realisht se çfarë fuqie ka Shqipëria e çdo vend tjetër që ti japë fund këtij fenomeni që nuk do të duam të vijojë më”.

Sipas ministrit, sulmet bëhen aty ku suksesi sot është më i madh. “Prandaj na sulmojnë aty ku kemi më shumë sukses ndaj policia është në qendër të sulmeve cdo ditë, ndaj mundohemi ta pikturojnë siç policia nuk është më dhe nuk do të jetë më, por ajo që kemin nevojë është se mbi suksesin e deritanishëm të bëjnë punë”.

Ministri shtoi se Policimi në Komunitet do të jetë një tjetër ndihmë e madhe për identifikimin e parcelave me kanabis kudo që mbillen. “Derisa ta zhdukim plotësisht këtë fenomen”.