Arbëri

Basha konsideron se beteja për zgjedhje të lira u kurorëzua sot

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të enjten se përmes dialogut politik po krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa shprehu vendosmërinë e opozitës për të vazhduar deri në fund projektin e madh të Republikës së Re.

Ai iu drejtua protestuesve demokratë të vendosur prej 90 ditësh në çadrën e instaluar në Bulevard, duke theksuar se “gjithçka u bë realitet vetëm falë imponimit të qëndresës dhe bashkimit qytetar”.

“Beteja për zgjedhje të lira u kurorëzua sot jo me rrëzimin e qeverisë, por vetëm gjysmës së saj. Qëndresa juaj epike dhe kjo lëvizje shembi sot muret e kështjellës së mykur të Republikës së vjetër, por 37 ditët e ardhshme kjo lëvizje nuk do të ulet nuk do të shpërndahet, por do të marshojë në çdo cep të Shqipërisë derisa kështjella e Republikës së vjetër të bjerë përfundimisht”, tha Basha.

Kjo lëvizje, sipas tij, nuk filloi dhe nuk vazhdon për interesa politike apo pushtetin e një partie, një aleance apo një personi, por nisi për t’i kthyer pushtetin qytetarëve shqiptarë dhe këtë do ta bëjmë.

“Beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk përfundon këtu, kjo është vetëm nxehja, ndeshja fillon pas një jave dhe marshojmë drejt fitores. Sot përmes dialogut politik Republika e vjetër ka pranuar rrugën institucionale të asgjësimit të saj, për t’i hapur vend rrugës tuaj të Republikës së re”, tha Basha.