Arbëri

Sejdiu heq dorë nga President Nderi i LDK-së

Foto: Driton Paçarada / KD / ilustrim

Ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, ka braktisur mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe ka hequr dorë nga posti i Presidentit të Nderit të LDK-së.

Ai nuk do të garojë as për deputet në radhët e LDK-së. Ka thënë se nuk përkrah koalicione “joparimore”.

“LDK ka ardhur në një situatë që të krijohet një koalicion dhe të hedhen të tjerët jashtë pa dinjitet. Një politikë të tillë nuk e mbështes. Jam anëtar i zakonshëm sepse kam startuar si i zakonshëm. Nuk dua koalicione që nuk sjellin kualitete të veçanta”, ka thënë ai pasi ka braktisur Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së në të cilin është duke u përpiluar lista e kandidatëve për deputetë.

Sejdiu ka reaguar edhe në rrjetet sociale. Ky është postimi i tij:

Të dashur miq,

Edhe pse i paftuar si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryetar Nderi i LDK-së, sot mora pjesë në mbledhjen e këtij Këshilli, në të cilin do të duhej të debatoheshin çështje të rëndësishme, në kuadër të të cilave çështja e koalicionit parazgjedhor, si dhe lista e kandidatëve të LDK-së për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Sikur edhe më herët, Kryetari i LDK-së dhe njerëzit përreth tij nga Kryesia, sikur që kanë bërë praktikë, pa respektuar Statutin e LDK-së, kanë lidhë këto koalicione parazgjedhore dhe kanë ndërtuar listë të deputetëve duke anashkaluar personalitete të rëndësishme dhe të dëshmuara të LDK-së si dhe duke futur emra që absolutisht nuk kanë pasur lidhje me LDK-në, bile edhe kundërshtarë të saj.

Lidhja Demokratike e Kosovës, tash e sa vjet ka zhvilluar politika që janë në kundërshtim esencial me programin e saj burimor dhe në veçanti ka vepruar në mbylljen e mendimit të lirë si dhe përndjekjen e gjithë atyre që kanë menduar ndryshe nga vullneti i lidershipit të saj.

Aq më tepër, ka ofruar në përgjegjësi të larta partiake dhe shtetërore njerëz që më së paku mendojnë për zhvillimin pozitiv të saj dhe të atillë që nuk kanë kurajon dhe guximin qytetar dhe politik që të ju kundërvihen këtyre rrjedhave të liga.

Si pasojë e kësaj, LDK, ashtu siç kishte vepruar me papërgjegjësi në ndërtimin e koalicionit të deritashëm, si rezultat i “metamorfozës shtetformuese” të liderit të saj, pas ortekut të sharjeve të stilit të tij, pokështu u ndëshkua nga partnerët e tij duke e dëmtuar dinjitetin e LDK-së.

Duke vërejtur se kjo sjellje e papërgjegjshme e lidershipit të LDK-së është duke vazhduar pa ndërprerë dhe se mekanizmat e LDK-së janë shëndrruar në instrumente që vazhdimisht keqpërdoren prej tij si dhe duke mos parë gadishmërinë që të ndërprehet kjo praktikë antidemokratike, sot kam dhënë dorëhjeqje të parevokushme nga pozita e Kryetarit të Nderit dhe anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.