Arbëri

“Mini-Shengeni” ballkanik duhet të përfshijë edhe Kosovën

Descriptive Text

Mini-Shengeni ballkanik nuk mund të realizohet pa përfshirjen e Kosovës. Një mesazh i tillë u nënkuptua të paktën pas reagimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat mbështetën nismën për “Mini-Shengen”, por u kërkuan vendeve të rajonit që të përfshijnë aty edhe Kosovën dhe qeverinë e saj.

Edhe analistë të çështjeve politike në Tiranë dhe Prishtinë thonë për Radion Evropa e Lirë se kjo nismë duhet të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se ky proces nuk sjell asnjë pasojë negative për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Drejtori i Institutit për Studime Politike në Tiranë, Afrim Krasniqi, thotë se nisma rajonale për një “Mini-Shengen” ballkanik nuk ishte përgatitur dhe nuk ishte konsultuar ashtu si do të duhej të bëhej.

“Në rastin e Kosovës u gabua dyfish. Kosova jo vetëm që nuk ishte pjesë e procesit dhe konsultimit paraprak, por Kosova u përfshi në deklaratat publike zyrtare që u mbajtën aty duke u kritikuar dhe u kthye deri diku në një investim kundër imazhit të Kosovës, dhe kjo dëmton raportin e kësaj nisme me Kosovën".

"Por, nëse ky proces zgjerohet dhe përfshin vendet e rajonit dhe nëse ky proces merr për bazë gjithë procesin që do të ndodhë në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për njohjen e realitet në Kosovë dhe në Ballkan, atëherë nuk sjell asnjë pasojë negative, përkundrazi në të ardhmen mund të jetë një proces pozitiv”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, koncepti i hapjes së tregjeve dhe kufijve në aspektin e një standardi të ri është trendi që sot përkrahet nga vendet perëndimore, sidomos kur bëhet fjalë për Ballkanin që është me shumë probleme.

Javën e kaluar liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pa pjesëmarrjen e Kosovës e kanë miratuar në Ohër një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave, me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal duke përfshirë lëvizjen e lire të njerëzve dhe mallrave.

Në Prishtinë, analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se asnjë ide për Ballkanin Perëndimor nuk është lansuar pa një konsultim dhe planifikim me vendet me ndikim, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe vendeve tjera të fuqishme të BE-së. E tillë, sipas tij, është edhe nisma rajonale “Mini-Shengeni” ballkanik.

Ai thotë se reagimet nga Kosova kanë ardhur pa pasur parasysh kontekstin më të gjerë, të cilin e ka për bazë ideja e “Mini-Shengenit”.

“Është i pakuptueshëm reagimi i ashpër i përfaqësuesve politikë të Kosovës, të cilët është e mundur që pas reagimit nga Amerika dhe BE-ja të fillojnë të mendojnë pranimin e kësaj ideje, pasi që nuk është e dëmshme për Kosovën, pra nëse Kosova prezantohet si një vend sovran dhe i pavarur nuk mund të ketë ndonjë dëm, por përkundrazi të ketë një mundësi të përmirësohen disa aspekte, posaçërisht lëvizja e qytetarëve që ka qenë tejet problematike deri më tani duke pasur parasysh mungesën e funksionalizimit të marrëveshjeve të Brukselit për qarkullim të lirë mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë”, thotë Muhaxhiri.

Takimi i radhës ndërmjet liderëve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Durrës më 21 dhjetor, në të cilin pritet të jetë e ftuar edhe Kosova.

Mirëpo, ky takim, sipas analistit Krasniqi, është shumë i shpejtuar dhe se sipas tij, po bëhet në kontekstin e dërgimit të një mesazhi në Paris, Bruksel dhe Berlin në kuadër të një vendimmarrje të BE-së ndaj rajonit.

“Takimi i Durrësit nuk ka ndonjë agjendë, kështu që është takim protokollar dhe jo vetëm që Kosova nuk është e përfaqësuar pasi kërkohet kohë për të krijuar institucionet e reja, por edhe vendet tjera edhe Bosnja edhe Mali i Zi kanë një përfaqësim problematik për shkak të situatave të tyre të brendshme".

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në REL.