Arbëri

AKR përfaqësohet 45 për qind në Qeveri nëse koalicioni fiton zgjedhjet

Aleanca Kosova e Re do të jetë 45 për qind e përfshirë në Qeveri në rast se fitojnë në zgjedhjet e parakohshme, që do të mbahen më 11 qershor.

Partia e Behgjet Pacollit të martën lidhi koalicion me partinë e Isa Mustafës, që të shkojnë bashkë në zgjedhje.

Sipas draftmarrëveshjes që e posedon KosovaPress krerët e dy partive janë dakorduar që AKR ta ketë zëvendëskryeministrin e parë.

Ndërsa ndarja e resorëve qeveritar(ministrat, zëvendësministrat dhe emërimet tjera politike) bëhen bazuar në kriterin e përqindjes 55 për qind LDK dhe 45 për qind AKR.

Por nuk është vetëm AKR-ja që shkon në zgjedhje bashkë me LDK-në. Në listat për deputetë do të ketë edhe emra nga partia e sapoformuar Alternativa, e cila udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila e cila në AKR ka qenë zëvendëspresidente.

Kur u nda nga AKR dhe formoi partinë e vet, shefi i saj Behgjet Pacolli kishte thënë se ishte tradhtuar nga Kusari-Lila e cila Gjakovën e kishte fituar duke qenë kandidate e AKR-së.

Por sekretari organizativ i AKR-së Rrahim Pacolli në një deklaratë për KP thotë se nuk ka pasur asnjë hidhërim me ish-bashkëpartiaken e tij.

Pacolli tha se zhvillimi ekonomik dhe heqja e vizave është arsye kryesore që i ka bashkuar AKR-në dhe LDK-në.

“Koalicioni i ri e ka për qëllim zhvillimin , anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe heqjen e vizave për qytetarë. Kjo është më e rëndësishmja dhe ky është koalicioni më i ri. Ka me qenë shumë i suksesshëm dhe do t’i fitojë zgjedhjet. AKR, gjithmonë është me zhvillimin ekonomik dhe në zhvillimin e shëndetësisë. Do ta kemi pjesën tonë brenda marrëveshjes LKD-AKR. Nuk jemi hidhëruar ne kurrë me askënd nuk kemi çka me u hidhërua dhe me u pajtua”, tha Pacolli.

Shefi i Shtabit Zgjedhor në AKR tha se ky koalicion është mirëpritur, por ka pasur edhe kritika. Sipas Pacollit AKR është kritikuar edhe kur ka qenë duke qeverisur me PDK-në.

“Është mirëprit shumë prej qytetarëve të Kosovës , është mirëprit shumë nga diaspora. Kemi marrë shumë telefonata prej diasporës dhe kemi marrë përkrahje që do të vijnë edhe me votua ditën e zgjedhjeve. Është një koalicion i zhvillimit ekonomik. Unë mendoj që është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. Edhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha Pacolli.

Sipas draftmarrëveshjes LDK-ja dhe AKR-ja pajtohen në parim që të bashkëpunojnë edhe në zgjedhjet e nivelit lokal, ndërsa specifikat do të përcaktohen me një marrëveshje të veçantë.