Arbëri

Ministria e Financave thotë t’i ketë përmbushur detyrat për Agjendën e Reformave Evropiane

Në takimin e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, Ministria e Financave ka raportuar për të gjitha detyrat që i takojnë në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, duke ofruar evidencë për përmbushjen e detyrimeve që ka, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Sipas Raportit të Ministrisë së Financave në shtyllën e parë të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, që lidhet me qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, Ministria e Financave është përgjegjëse për Prioritetin 1.7 që ka të bëjë me prokurimin elektronik.

Në këtë drejtim, ministri i Financave Avdullah Hoti bëri ditur se është duke u zbatuar vendimi i Qeverisë i marsit 2016 për prokurimin elektronik. Sipas tij është përfunduar platforma elektronike dhe të gjitha Autoritetet kontraktuese e kanë të obligueshme t’i vendosin aktivitetet e prokurimit në platformë elektronike.

Ai bëri të ditur se “gjatë vitit të kaluar është lansuar pilotimi i e-prokurimit në institucionet qendrore, ndërsa nga 1 janari i këtij viti edhe në institucionet e nivelit lokal. Janë mbajtur trajnimet me grupin e parë të zyrtarëve të nivelit lokal, qendror dhe ata të ndërmarrjeve publike. Certifikimi pritet të bëhet pas përfundimit të provimeve. Është aprovuar Strategjia e Prokurimit Publik 2017-2021, e cila është zhvilluar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe akterët e tjerë të involvuar në proceset e prokurimit publik. Strategjia merr për bazë progresin e arritur deri më tani në ndërtimin e sistemit të prokurimit publik në Kosovë, analizën e sfidave, si dhe mundësive dhe nevojave që ka sektori publik në Kosovë.

Ndërsa, sa i përket shtyllës së dytë të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, që lidhet me konkurueshmërinë dhe promovimin e investimeve, sipas ministrit Avdullah Hoti, Ministria e Financave është përgjegjëse për prioritetin 2.2 të kësaj Marrëveshje e cila lidhet me përmirësimin e mjedisit afarist, Prioritetin 2.3 që lidhet me zbatimin në mënyrë sistematike të strategjisë dhe planit të veprimit të miratuar për luftimin e ekonomisë joformale, si dhe Prioritetin 2.6 që lidhet me përmirësimin e lidhjes rajonale.

Sa i përket Prioritetit 2.3. për zbatimin në mënyrë sistematike i strategjisë dhe planit të veprimit të miratuar për luftimin e ekonomisë joformale, sipas Hotit, vjet, Njësia e Inteligjencës Financiare ka ndërmarrë inspektime të pajtueshmërisë në sektorët me rrezik më të lartë në kuadër të të gjeturave të vlerësimit të rrezikut sektorial në sektorin e ndërtimeve, duke kryer mbikëqyrje të pajtueshmërisë tek Noterët dhe Agjencitë e Patundshmërive.

Ai gjithashtu bëri të ditur se gjatë vitit 2016 është riaktivizuar Sekretariati Koordinues për monitorimin e zbatimit të Strategjisë së ATK-së i cili aktualisht është duke përgatitur raportin vjetor të zbatimit.

“Lidhur me pajisjen me arka fiskale, gjatë vitit 2016 janë pajisur me arka fiskale 2,308 biznese të reja. Progres i mirë është arritur në fiskalizimin e pikave të karburanteve. Në pajisjen me arka fiskale ka ndikuar shumë projekti i nxitjes së qytetarëve për të mbledhur kuponët fiskal me rastin e blerjes së mallrave. Në tremujorin e tretë, janë dorëzuar 277 mijë pliko me kuponë fiskalë nga qytetarët. Janë realizuar 2,410 vizita tek bizneset e pa fiskalizuara. Janë shqiptuar gjoba në vlerën prej 152,500 euro. Janë realizuar 5,381 vizita tek bizneset të cilat nuk lëshojnë kupona fiskal, ku janë shqiptuar 2,970 gjoba mandatore në shumën prej 686,425 euro. Si rezultat i vizitave të realizuara tek bizneset është arritur që të regjistrohen 2,245 punëtorë”, shtoi Hoti.

Sipas tij, Reformat tjera përfshijnë deklarimin online për 100% të Deklaratave Tatimore, ofrimi online i shërbimeve administrative tatimore, që shkurton koston dhe kohën e kryerjes së shërbimeve në zyrat e ATK-së dhe njohja e shpenzimeve të trajnimit si pjesë e pakos së fundit fiskale, e cila ulë barrën tatimore për bizneset që investojnë në ngritjen e kapacitetit të fuqisë punëtore.

Ministri Avdullah Hoti, gjatë raportit para Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, bëri të ditur se gjatë vitit 2017 pritet të vazhdohet me implementimin e aktiviteteve tjera dhe në këtë fazë parashihet rishikimi i planit të veprimit dhe strategjisë në bashkëpunim me Komisionin Evropian.

Në këtë takim ministri Avdullah Hoti gjithashtu bëri të ditur se në javën e parë të marsit 2017 pritet të dorëzohet në Qeveri raporti i tretë për Klauzolën Investive, ku pritet të përfshihen së paku edhe dy projekte të reja: Qendra Kombëtare Sportive dhe Përmirësimi i pajisjeve mjekësore për QKUK.

Sipas tij, me Fondin Monetar Ndërkombëtar Ministria e Financave intensivisht është duke punuar në metodologjinë e re të përzgjedhjes së projekteve për investime kapitale në sistemin PIP në kuadër të Departamentit të Buxhetit.