Arbëri

Thaçi dënon goditjen me ve të Çitakut, thotë se u keqpërdor liria e shprehjes

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar gjuajtjen me vezë ndaj ambasadores së Kosovës në Washington, Vlora Çitakut, dhe ka shtuar se liria e shprehjes nuk duhet të keqpërdoret për të cenuar integritetin personal të dikujt.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku përmes një postimi në Facebook ka thënë se është sulmuar me vezë nga një aktiviste shqiptare në SHBA, e cila e ka quajtur vrasëse për shkak të rastit Dehari.

Kjo ka ndodhur gjatë një bashkëbisedimi në “Denver Women in International Security”, pjesë e së cilës ishte edhe ambasadori Christopher Hill, transmeton Koha.net.

Ky është postimi i plotë i Thaçit:

Shprehja e lirë e fjalës dhe mendimit është vlerë fundamentale e demokracisë, e cila respektohet nga të gjithë ne. Kjo e drejtë nuk duhet të keqpërdoret nga askush, duke cenuar integritetin personal të askujt, aq më tepër të një zyrtari shtetëror të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Keqpërdorimi i lirisë së shprehjes, i shoqëruar me dhunë automatikisht shndërrohet në një akt të shëmtuar dhe të dënueshëm, si ai idjeshmi ndaj ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.

Fyerja dhe sulmi ndaj ambasadores Çitaku ishte edhe një tjetër përpjekje e ulët e radhës për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Nxitësit dhe ekzekutuesit e veprimeve të tilla të shëmtuara, duhet të ndjehen të turpëruar.